Arbëri

Skllota, përplasje e re e Thaçit me Haradinajn

Liderët më të lartë shtetërorë, presidenti Hashim Thaçi e kryeministri Ramush Haradinaj, ka kohë që nuk janë takuar kokë më kokë, por polemikat e tyre përmes medieve, janë të përditshme.

Në dy statuse brenda pak kohësh të dielën presidenti u mor me kryeministrin, ndonëse nuk ia përmendi emrin, raporton KTV.

Në të parin u mor me borën që uroi të mos bëhej skllotë, duke e thumbuar kështu kryeministrin që në deklaratat e fundit duke i ikur përgjigjes për taksën, foli për borën.

E në të dytën u dërgoi mesazh të gjithëve se ditët e javët në vazhdim do të merren vendime të rëndësishme për vendin, prandaj kërkoi unitet.

Por, kryeministri ka zgjedhur të mos merret shumë me këto deklarime të presidentit, mirëpo ka përsëritur se qëndrimi i tij për taksën mbetet i pandryshueshëm.

Haradinaj ka thënë të mos ketë frikë as nga rrëzimi i Qeverisë.

Kur foli për grevat në shumë sektorë, kryeministri ka thënë se nuk është për t’u çuditur, sepse grevat, sipas tij, janë pasojë e një ligji që nuk ka ekzistuar qe 20 vjet, e do të habitej sikur të mos kishte reagim.