Arbëri

Komisioni qeveritar e bën me më shumë tokë Kosovën

Ashtu siç pritej, Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës ka ardhur në përfundim se vendi nuk humb territor me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, raporton KTV.

Në një sallë të mbushur me harta, libra e të dhëna kadastrale, zëdhënësi i këtij komisioni, të martën, ka prezantuar për afër dy orë punën që është bërë.

Sipas këtij komisioni, që është krijuar me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, Kosova ka 10 mijë e 905 kilometra katrorë.

Madje, në bazë të kësaj matjeje, Kosova ka 18 kilometra katrorë më shumë sesa shifra që është ditur deri tani, 10 mijë e 887.

Kështu, është thënë se pikat kontestuese si Çakorri e Bjelluha janë pjesë të Malit të Zi. Kryeministri Isa Mustafa është larguar nga salla në përfundim të prezantimit, ku nuk ka pasur asnjë zyrtar të partisë tjetër në koalicion, PDK-së.

Aty nuk kanë qenë as përfaqësues të partive opozitare dhe ata të banorëve të Rugovës, që e kanë bojkotuar punën e Komisionit që nga themelimi.

Mediave u është drejtuar më pas kryesuesi i Komisionit, i cili nuk është përgjigjur nëse raporti është legjitim, pas vërejtjeve të vet anëtarëve të Komisionit. Hivzi Islami ka thënë se ka qenë në dijeni qysh në fillim se gjeografi Fitim Humolli do të largohet nga Komisioni, derisa e ka quajtur postier të partive opozitare.

Megjithëkëtë, jo vetëm Fitim Humolli, por edhe dy anëtarë tjerë janë deklaruar kundër raportit.

Faruk Bojaxhiu i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës i ka thënë KTV-së se të premten nuk do ta nënshkruajë këtë raport.

Ai ka treguar se janë 18 ngastra pyjore, me 614 hektarë, të cilat kanë qenë duke u menaxhuar nga kjo Agjenci dhe Komuna e Pejës, por tani me demarkacion, i kanë kaluar Malit të Zi.

Vërejtjet dhe sugjerimet e tij e as të anëtarit tjetër Agron Luta nuk janë marrë parasysh nga Komisioni.