Arbëri

Çfarë mund të ndodhë në Kuvend nëse mocioni i mosbesimit del i suksesshëm?

Descriptive Text

Analisti i Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi thotë se me Kushtetutën e Kosovës parashihen edhe procedurat e dy llojeve të mocionit. Atij të mosbesimit dhe atij të votëbesimit.

Mocioni i mosbesimit iniciohet për të parë nëse Qeveria e ka përkrahjen në Kuvend. Kurse ai i votëbesimi, kërkohet nga Kryeministri, për të parë nëse ai ende e gëzon përkrahjen e deputetëve, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket mocionit aktual të partisë Nisma, Albert Krasniqi thotë se kushti i parë që ai të shqyrtohet në Kuvend është që t’i përmbajë 40 nënshkrime të deputetëve.

Me mbledhjen e 40 nënshkrimeve, vijon ai, çështja i procedohet Kryesisë së Kuvendit, e cila e procedon atë në seancë të Kuvendit, jo më vonë se pesë ditë nga parashtrimi i kërkesës.

Kurse shkarkimi i Qeverisë, mund të bëhet vetëm me 61 vota të deputetëve në Kuvend dhe më pas, çështja i kalohet Presidentit, thotë Albert Krasniqi.

“Nëse mocioni i mosbesimit është i suksesshëm, atëherë është në dorën e Presidentit që të vendosë të shpërndajë Kuvendin me një dekret të veçantë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Ose, Presidenti e ka në dorë edhe mundësinë që t’ia japë një mandatari të dytë, për të propozuar Kryeministrin, në mënyrë që të provohet të zgjidhet një kryeministër i ri nga radhët e partive të cilat e propozojnë mandatarin për formimin e Qeverisë”, thotë Krasniqi.

Por, në rast se opozita dështon t’i sigurojë 61 vota për rrëzimin e Qeverisë, atëherë nuk mund të ketë mocion të ri brenda 90 ditëve vijuese.

Zgjedhjet e parakohshme janë përmendur si opsion për të nxjerrë vendin nga bllokada e vendimmarrjes edhe nga deputetë dhe zyrtarë të partive në pushtet.

Koalicioni aktual po përballet me probleme serioze në vendimmarrje për çështje të rëndësisë së veçantë, siç është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, me çka është bllokuar procesi i liberalizimit të vizave.

Sidoqoftë, rrëzimi i Qeverisë së Kosovës me mocionin aktual të opozitës, është i mundshëm vetëm nëse sigurohen edhe 31 vota të deputetëve nga partitë e koalicionit.