Qeveria pezullon përkohësisht Rregulloren për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare Foto: Koha / ilustrim

Qeveria pezullon përkohësisht Rregulloren për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare

24 prill 2017 16:36

Me qellim të mbrojtjes së ligjshmërisë së punës së Odës së Avokatëve, Qeveria e Kosovës me datë 19.04.2017 ka marrë vendim nr. 05/142, me të cilin ndalohet përkohësisht zbatimi i Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Ministria e Drejtësisë thotë se vendimi është i përkohshëm dhe si i tillë nuk paragjykon përfundimin e procesit në lidhje me këtë çështje.

Vendimi, sipas MD-së, i cekur më lartë është i bazuar në nenin 44 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-193 për avokatinë, i cili përcakton: “Qeveria e Kosovës mbikëqyr ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka të drejtë që gjer në vendimin e gjykatës kompetente, të ndaloj ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me ligjin. Kjo mbikëqyrje kufizohet në përfilljen e ligjit dhe të së drejtës, duke mos e cenuar autonominë administrative të Odës së Avokatëve”.

“Rregullorja e pezulluar nga Qeveria është miratuar me datë 30.06.2016 nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Odës se Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjen penale të lidhur me datë, 26 prill 2016”, thotë MD në njoftimin për media.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, kjo Rregullore është kontestuar nga një grup i avokatëve, të cilët vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj rregullore e kanë dërguar në gjykatën kompetente, të cilët po ashtu kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të iniciojë procedurën për pezullimin e zbatimit të kësaj rregulloreje deri në vendosjen nga ana e gjykatës lidhur me këtë rast.

Po ashtu, në dispozitat e Ligjit për Avokatinë nuk parashihet nxjerrja e një akti të tillë nga ana e Odës së Avokatëve të Kosovës, për më tepër se kaq, kjo rregullore është derivat i një marrëveshje bashkëpunimi, ku në dispozitat e saj parasheh kufizime të caktuara për avokatë, e të cilat kufizime janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për avokatinë, dhe veçmas në kundërshtim me nenin 54 paragrafi1 të Kodit të Procedurës penale, i cili përcakton:

“Për mbrojtës mund të angazhohet vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës, për të cilin mund ta zëvendësojë praktikanti i avokatisë. Kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim, praktikanti i avokatisë mund ta zëvendësojë avokatin vetëm nëse e ka kaluar provimin e judikaturës. Pranë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, të pandehurit mund ta përfaqësojnë vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve së Kosovës”.

Po ashtu, Ministria e Drejtësisë thotë të jetë konsultuar me përfaqësues të Odës së Avokatëve me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për këtë çështjeje.

“Për më tepër, Ministria e Drejtësisë është në proces të rishikimit të drejtësisë penale, (Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale) dhe me këtë rast shprehet e përkushtuar për diskutimin dhe shqyrtimin e çfarëdo çështje e duke përfshirë edhe çështjet e përcaktuara në rregulloren e cekur më lartë, dhe fton palët e përfshira në këtë kontest t’i paraqesin propozimet e tyre”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme