Arbëri

Nesër seanca e parë për “veteranët e rrejshëm”

Foto: Koha / ilustrim

Nesër në orën 10:00 në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të mbahet seanca e parë në lidhje me aktakuzën për fryrjen e listave me “veteranë të rrejshëm” që kur është ngritur aktakuza.

Ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, pritet që këtë të hënë të njihen zyrtarisht me akuzat të cilat ua ngarkon Prokuroria Speciale e Kosovës, në rastin e njohur të veteranëve, transmeton Koha.net.

Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, pritet që në fillim të javës të ulen në bankën e të akuzuarve.

Por, në këtë shqyrtim fillestar, pritet të ketë pengesa. Njëri nga të akuzuarit në këtë rast, ka thënë para disa ditësh për KTV se ende nuk ka pranuar ftesë nga gjykata.

Është avokati i Shkumbin Demaliajt, Arianit Koci, i cili thotë se, përveç ftesës, klienti i tij nuk ka pranuar ende as aktakuzën me përmirësime.

KTV-ja ka kontaktuar edhe të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, por shumica prej tyre, përmes telefonit, i kanë thënë KTV-së se kanë se kanë pranuar ftesat dhe gjithashtu edhe aktakuzën me përmirësime.

Ndërsa, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, shkurt ka konfirmuar se kjo gjykatë u ka dërguar të gjitha palëve ftesat dhe gjithashtu aktakuzën e ndryshuar, andaj, siç ka thënë Gashi, seanca pritet të mbahet ashtu siç ishte paraparë më 28 janar.

Në shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 12 ish-anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen e Statusit të Veteranit të UÇK-së. Prokuroria Speciale i akuzon ata për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Por, gjykata ia kishte kthyer për përmirësim dhe qartësim këtë aktakuzë Prokurorisë Speciale, me arsyetimin se dispozitivi i aktakuzës, në pjesën e përshkrimit faktik të veprës penale, ishte konfuz dhe si i tillë nuk lejonte mundësimin e procedimit të drejtë pa zvarritje e pengesa të shumta të këtij procesi.