Arbëri

Maxhuni: Policia ka dëshmuar se di të menaxhojë me situata të ndryshme

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka deklaruar se Policia e Kosovës tashmë ka dëshmuar veten se është profesionale dhe e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar, të parandalojë incidente të natyrave kriminale, si dhe të menaxhojë me situata të ndryshme, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend.

Maxhuni këto komente i bëri gjatë vizitës që pati nga dy zëvendësministrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha dhe Behar Selimi, të cilët i ka njoftuar mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës, të bazuara në planin zhvillimor strategjik të Policisë.

Sipas një komunikate të Policisë, dy zëvendësministrat vlerësuan lart punën e Policisë së Kosovës në përgjithësi, duke përgëzuar Policinë e Kosovës dhe për angazhimet e fundit gjatë festave, për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, ku u arrit të menaxhohet me situatën e sigurisë në vend, si dhe të parandalohet çdo incident i mundshëm.