Arbëri

Apostolova: Kodi Civil i qasshëm për të gjithë

Kodi Civil i Kosovës është finalizuar dhe së shpejti do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për komente e më pastaj për miratim.

Kështu është bërë e ditur në aktivitetin “Rruga drejt një Kodi Civil modern të Kosovës”, organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil – faza 2”, i cili ka mbështetur Ministrinë e Drejtësisë.

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se me të marrë mandatin e ministrit prioritet ka pasur kodin civil.

"Kodi civil ka qenë dhe është një prej prioriteteve të mëdha, po ashtu është dokumenti më i rëndësishëm pas Kushtetutës. Gjatë periudhës së hartimit të këtij kodi kemi përcjell trendet bashkëkohore të së drejtës civile. I kemi kushtuar rëndësi edhe traditës së popullit tonë. Ne i kemi kushtuar vëmendje aspiratave tona në Bashkimin Evropian. Të gjitha këto na kanë udhëhequr në punën për draftin e kodit civil", tha ai.

Shefja e Zyrës së BE, Nataliya Apostolova, tha se për më shumë se katër viteve pune të madhe është arritur të bëhet një punë e madhe.

Ajo tha se kodi rregullon marrëdhëniet familjare, detyrimet dhe trashëgiminë dhe të drejtat civile. Apostolova tha se të gjitha këto janë të grupuara në një kod i cili është i qasshëm për të gjithë.

"Në këtë proces i është dhënë një vëmendje e veçantë kontekstit kosovar. Është shumë me rëndësi se produkti që po e prezantojmë sot nuk është një produkt i përfunduar, ne po e dorëzojmë një draft qeverisë që të bëjë komentet. Realisht ky është një hap tjetër dhe do t’iu bëja ftesë që të merrni pjesë të gjithë. Kodi që e kemi sot është për secilin prej jush. Drafti është prodhuar në gjuhën shqipe. Projekti i ka përgatitur edhe një memorandum shpjegues se si do të përdoret ky kod. Prej sot është qeveria që ta përfundojë kodin civil", tha ajo/KsP.