Arbëri

Ministrja e Drejtësisë e interesuar për punën në Gjykatën e Gjilanit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vizituar sot Gjykatën Themelore në Gjilan ku është pritur nga ushtruesi i detyrës së kryetarit, Afrim Shala me bashkëpunëtorë, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

“Nuk do të bëjmë ndryshime në ligje sa për të thënë se po japim kontribut në procesin e rishikimit. Do të bëjmë ndryshime konform me standardet e Bashkimit Evropian, por edhe në koherencë me rrethanat tona. Do të vejmë theksin aty ku esencialisht preket qytetari, duke e forcuar integritetin e gjyqësorit, si dhe duke e rritur besueshmërinë ndaj tij. Fuqizimi i sundimit të ligjit po ashtu i kontribuon procesit të integrimeve euro-atlantike, andaj ky është prioriteti ynë themelor”, tha në fillim Hoxha.

Ajo ftoi të pranishmit të jenë pjesë aktive gjatë rishikimit funksional të legjislacionit duke kontribuuar me përvojat që hasen në praktikë sepse, praktika, sipas Ministres, korrigjon dispozitat ligjore që mund të jenë pengesë e fuqizimit të sundimit të ligjit.

Ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore, Afrim Shala tha se “angazhimi ynë për forcimin e sundimit të ligjit është maksimal, konsiderojmë se këtij suksesi i kontribuon jashtëzakonisht gatishmëria e çdo instance ligjore për zbatimin e ligjit. Kemi suksese dhe sfida por, sigurisht se do të dëshmojmë përkushtimin tonë ligjor dhe rritjen e besueshmërisë në gjyqësor”.