Arbëri

Caktohet seanca gjyqësore ndaj Gashit e Shalës për gjuajtje me armë në odën e Limajt

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, dhe të tjerët, në fillim të shkurtit do të dalin para gjykatës, për t'u përballur me akuzat për gjuajtjet me armë.

Gjuajta me armë kishte ndodhur në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, në Banjë të Malishevës.

Kjo është bërë e ditur përmes një kumtese për media dërguar nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

“Për shkak të interesimit të vazhdueshëm të mediave për lëndën P.nr.197/2018, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka caktuar seancën fillestare ndaj të akuzuarve E.SH., D.G., etj për vepër penale të ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve’ nga neni 374 paragraf 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Seanca në fjalë do të mbahet ditën e hanë, datë 11 shkurt 2019 në degën e Malishevës”, thuhet në kumtesë.

Gashi, Lushtaku dhe Shala akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve, pasi ishin parë në një video teksa festonin në odën e Fatmir Limajt.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, kishte mbledhur miq e dashamirë në odën e tij në Banjë të Malishevës, dhjetorin e 2017-s, pas lirimit nga akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.