Arbëri

Me protestë kërkohet ndalimi i hidrocentralit në kanionet e Holtës te Gramshi

Pavarësisht kundërshtimeve të shoqërisë civile, kanë filluar punimet në hidrocentralin që prish bukuritë natyrore të kanioneve të Holtës në afërsi të Gramshit.

Kundër këtyre punimeve dhe dëmit që po i bëhet kanioneve, është ngritur një peticion që ka marrë 3 mijë nënshkrime deri më tani ndërsa më 25 janar do të protestohet në Tiranë për këtë çështje.

Fotografi Nëntor Oseku ka reaguar ndaj ndërtimit të HEC-it duke shpërndarë disa fotografi të kësaj perle të Shqipërisë.

Oseku po ashtu ka ftuar njerëzit që të nënshkruajnë këtë peticion si dhe të bëhen pjesë e protestës e cila do të mbahet të premten.

“I indinjuar thellë për shkatërrimin e këtij monumenti të mbrojtur natyror, që do të ndikonte negativisht në turizmin shqiptar, ftoj miqtë dhe adhuruesit e shumtë të natyrës që masivisht ta nënshkruajnë peticionin, përkatësisht të marrin pjesë në protestën e organizuar nga aktivistët atdhetarë dhe shoqata “Zagoria”, e paraparë të mbahet në Sheshin Skenderbej në Tiranë, të premten, me datën 25.01.2019, duke filluar nga ora 11:00”, ka shkruar ai.