Arbëri

BQK kërkon nga FKPK kujdes të shtuar në menaxhimin e kontributeve pensionale

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, takoi anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), të kryesuar nga Ruzhdi Morina, njofton kumtesa.

Me këtë rast, ai kërkoi sqarime më të detajuara rreth zhvillimeve të fundit lidhur me performancën financiare të investimeve të FKPK-së, e cila përkundër performancës pozitive gjatë pjesës më të madhe të vitit 2018, në tremujorin e fundit të vitit 2018 shënoi rënie si rezultat i zhvillimeve në tregjet globale financiare.

Mehmeti vlerësoi pozitivisht performancën e investimit të kontributeve pensionale në dhjetë vitet e fundit, e cila sipas raporteve të FKPK-së, ka siguruar një kthim pozitiv në investime në vlerë prej 380.09 milionë euro, transmeton Koha.net.

Guvernatori po ashtu kërkoi nga përfaqësuesit e FKPK-së që të shtojnë kujdesin në menaxhimin e luhatjeve afatshkurtra të tregjeve globale, të ngjashme me ato të periudhës së fundit, në mënyrë që të minimizohen rreziqet për investimet e kontributeve pensionale të qytetarëve kosovarë.

Në fund guvernatori kërkoi rritje të komunikimit të FKPK-së me publikun në mënyrë që qytetarët të jenë mirë të informuar dhe të kenë kuptim të drejtë të zhvillimeve në tregjet financiare globale e të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në vlerën e kursimeve të tyre pensionale.

Nga ana tjetër, kryesuesi i Bordit Drejtues të FKPK-së, Ruzhdi Morina, njoftoi Guvernatorin rreth zhvillimeve të lidhura me investimet e FKPK-së në tregjet financiare ndërkombëtare, duke theksuar se rënia e shënuar në tremujorin e fundit të vitit 2018 deri në një masë është kompensuar me kthimin pozitiv që kanë shënuar investimet e FKPK-së gjatë muajit janar 2019.

Ai theksoi se investimet e FKPK-së bazohen në një politikë mjaft të kujdesshme të investimit, të bazuar në një baraspeshë mjaft konservative ndërmjet kthimit dhe rrezikut, e cila në periudhën afatgjate ka rezultuar me një performancë mjaft të kënaqshme të investimeve.