Arbëri

Meta nesër në Malin e Zi, Podgorica stoliset me flamuj shqiptarë

Me ftesë të homologut malazez Milo Gjukanoviq, Presidenti i Republikës Ilir Meta nis nesër një vizitë dy ditore zyrtare në Mal të Zi.

Ashtu siç duket edhe nga fotot, por edhe nga raportimet e shtypit lokal, rrugët e kryeqytetit Podgorica janë mbushur si asnjëherë më parë me ngjyrat kuqezi të flamurit kombëtar shqiptar.

Mësohet se gjatë kësaj vizite, veç takimeve me krerët e lartë të Malit të Zi, Presidentit Meta do të vizitojë edhe qytetet e Tuzit, Tivarit dhe Ulqinit.

Mali i Zi është një prej shteteve më të reja në Ballkanin Perëndimor, i cili u pavarësua nga Serbia në vitin 2006, e me të cilën ishte në bashkim shtetëror pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Sipas rezultateve të regjistrimit të vitit 2011, Mali i Zi përbëhej nga rreth 630,000 banorë dhe struktura etnike e tij përbëhej nga malazezët: 43 %, serbët 32%, boshnjakët 8%, myslimanët 9%, shqiptarët 5% dhe komunitetet e tjera etnike, si: kroatë, romë, jugosllavë, maqedonas, sllovenë, hungarezë, që përbëjnë secili nga më pak se 1% të popullsisë së përgjithshme.

Në Kushtetutën e Malit të Zi shqiptarët përmenden krahas serbëve, boshnjakëve e kroatëve, por aty nuk saktësohet se çfarë statusi kanë shqiptarët në këtë shtet: a janë popull pakicë apo pakicë kombëtare?

Sidoqoftë, shqiptarët në Mal të Zi trajtohen si pakicë etnike, të cilët kryesisht jetojnë në juglindje dhe lindje të Malit të Zi, në Ulqin, Tivar, Plavë, Rozhajë dhe Tuz. Qyteti më i madh i shqiptarëve në Mal të Zi është Ulqini. Në Ulqin, shqiptarët formojnë shumicën e popullsisë (70.66% në bazë të censusit të 2011-s). Institucioni më i lartë i vetëqeverisjes së shqiptarëve në këtë vend është Këshilli Nacional i Shqiptarëve/ Gazeta Shqip.