Arbëri

Protestojnë konkurrentët për oficerë korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë

Foto: Koha

Konkurrentë për oficerë korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë në fshatin Gërdoc të Podujevës kanë protestuar të dielën para hyrjes së këtij institucioni, për shkak të, siç thonë ata, padrejtësisë që u është bërë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në konkursin e fundit.

Ata kanë thënë se edhe pse kishin arritur pikë e parapara në testin me shkrim dhe po ashtu në testin fizik dhe në intervistë, sipas tyre, në këtë të fundit u janë regjistruar pikë minimale, për t’ua pamundësuar zgjedhjen në këtë pozitë, raporton Koha Ditore.

Ndërkohë, këtë konkurrentë, thonë se kanë arritur të zgjedhën oficer korrektues persona që kishin dështuar të merrnin pikët e nevojshme në testin me shkrim, që ka qenë kusht për të ecur më tutje.

Leutrim Bajrami, që ka qenë njëri nga këta konkurrent, ka thënë se ata persona do të duhej të diskualifikoheshin që në fillim, ndërsa tash ata kanë arritur edhe të zgjedhen oficerë korrektues, ndërsa ai dhe pesë veta tjera nga ky fshat janë diskualifikuar, sipas tij, padrejtësisht.

Edhe kandidati tjetër nga ky fshat Mon Sylejmani, ka thënë se ata kanë arritur të grumbullojnë pikët e mjaftueshme për t’u zgjedhur oficer korrektues, por se u është bërë e padrejtë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Sipas tij, janë diskriminuar konkurrentët nga fshati Gërdoc dhe janë zgjedhur pa meritë persona që duhet të udhëtojnë nga 1 e 2 orë për të mbërritur në Burgun e Sigurisë së Lartë në këtë fshat.