Arbëri

Konjufca: Ahmeti e Limaj do të jenë përgjegjës për marrëveshjet që do t’i nënshkruajë Thaçi ndoshta edhe pa dijeninë e tyre

Descriptive Text

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka deklaruar se do të ishte naivitet i papranueshëm nëse shpjegohet se raportet në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën varen nga heqja e taksës që Kosova ia ka vendosur Serbisë.

Konjufca, në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se Shpend Ahmeti me Fatmir Limajn kanë bërë gabim kardinal që po i shkojnë prapa Hashim Thaçit, sepse vetëm e kanë amnistuar nga kriza e legjitimitetit.

Sipas tij, qeveria Haradinaj duhet të rrëzohet për shumë çështje të tjera, por jo për taksën e vënë. Derisa ka shtuar se PDK-ja në një mënyrë po e shantazhon kryeministrin Haradinaj, duke kërkuar që ai të jetë më i butë ndaj Serbisë.

Për insistimin e SHBA-së për heqje të taksës, Konjufca thotë se Kosova nuk duhet të shndërrohet në një shtet që vetëm i hap veshët dhe dëgjon se kush po i flet.

“Kosova i ka dy rrugë, njëra është që automatikisht, pa diskutim, të shndërrohet në njëfarë shteti i cili vetëm i hap veshët se kush po e thotë fjalën dhe automatikisht i zbaton, në formë të urdhrave. Ky nuk është shtet serioz. Rruga tjetër e cila mundohet, së bashku me miqtë, aleatët tanë, t’i bindë ata që këtu ne kemi qenë përpara një akti të kryer që kjo është për Kosovën e domosdoshme dhe pa të cilën nuk bën. Raporti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën nuk mund të vendoset në një taksë që Kosova ia vendos Serbisë. Mendoj që do të ishte naivitet i papranueshëm nëse do të shpjegohej brenda këtyre konturave politike relacioni SHBA-Kosovë. Kur ne argumentojmë me të drejtën tonë, kur ne i shtrojmë të gjitha argumentet që kjo për neve është ekzistenciale dhe Serbia është ajo që duhet të ndryshojë, jo Kosova, atëherë me një konsensus dhe një vendosmëri do të mundemi të ecim përpara, pa i prishur punët me aleatët tanë ndërkombëtarë”, tha ai.

Sipas Konjufcës, taksa është shumë e nevojshme, pasi siç e konsideron ai, Serbia e ka mbështet Kosovën për muri me gjithë luftën diplomatike dhe ekonomike që po i bën. Zgjidhja më e mirë, Konjufca thotë se do të ishte reciprociteti i plotë në të gjitha aspektet.

Sipas tij, partneri i koalicionit, PDK-ja po e shantazhon Haradinajn, duke kërkuar që ai të jetë më i butë ndaj Serbisë.

“PDK-ja në një mënyrë po e shantazhon kryeministrin Haradinaj, duke kërkuar që ai të jetë më i butë ndaj Serbisë. Lëvizja Vetëvendosje është e kundërta. Nuk mendon që Ramush Haradinaj duhet të rrëzohet për shkak të Serbisë. Ramush Haradinaj duhet të rrëzohet për shkak të keqqeverisjes. Ne nuk kemi kontakte me PDK-në në këtë kuptim, ne mendojmë që nëse bëhet një mocion mosbesimi në Kosovë, atëherë do të duhej të uleshin, të shkruanin, partitë politike në Kosovë, t’i rendisnin argumentet e tyre. Por në asnjë mënyrë nuk do të ishte argument pse Ramush Haradinaj i ka vendosur taksë Serbisë. Kjo do të ishte absurde në kuptimin nëse kjo është njëra prej atyre pak veprimeve, të rralla që i ka bërë të mira kjo Qeveri e Kosovës”, u shpreh Konjufca për KosovaPress.

Në lidhje me Dialogun me Serbinë, shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca shprehet se Rezoluta e votuar në Kuvend është vetëm mashtrim.

Sipas tij, një ditë pas votimit të saj, Federica Mogherini falënderoi delegacionin shtetëror, e po ashtu konfirmoi se ata janë vetëm ekip mbështetës, duke thënë se Dialogu shumë mirë ka ecur me presidentin Thaçi dhe do të vazhdojë me të.

“Mashtrimi i PSD-së me këtë çështje se po i marrim Thaçit Dialogun me Serbinë nga duart, zgjati vetëm 24 orë, jo më shumë. Ti shkon në kornizë të Dialogut prej organizatorit të Dialogut, nuk shkon të flasësh atje çfarë dëshiron, çfarë dëshirojnë Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj të flasin. Ti do të shkosh atje në një kornizë të cilën je i ftuar, çështja është se a pe pranon ftesën apo jo. Këta e kanë pranuar ftesën, ftesa është ‘faleminderit që krijuat ekip mbështetës për Hashim Thaçin’. Lexojeni me vëmendje në anglisht letrën e Mogherinit, ajo është shefja e Dialogut, nuk është Shpend Ahmeti me Fatmir Limajn dhe ka thënë që Dialogu shumë mirë ka ecur me Presidentin Thaçi dhe do të vazhdojë me Presidentin Thaçi”, deklaroi ai.

Ai e cilëson se me votimin e kësaj Rezolute, Hashim Thaçit vetëm i është dhënë legjitimitet. Për këtë arsye, Konjufca thotë se e me apo pa dashje, populli do t’i mbajë përgjegjës për atë që do të nënshkruhet në fund.

Zgjidhja ideale, sipas tij, do të ishte nëse Kuvendi voton një aktvendim ku i dërgohet Brukselit se gjithçka çka ka negociuar Hashim Thaçi duhet të kthehet në zero.

“Ne ia kemi shpjeguar këtë Shpend Ahmetit dhe PSD-së, i kemi thënë kujdes sepse me veprimet e tuaja po bëheni shkaktarë të ecjes përpara të presidentit Thaçi me planin e tij shumë të rrezikshëm për vënien në tavolinë të territorit të Republikës së Kosovës. Nëse janë në kilometrat e fundit të marrëveshjes, Shpend Ahmeti me Fatmir Limajn kanë bërë gabim kardinal që po i shkojnë prapa Hashim Thaçit, sepse vetëm e kanë amnistuar nga kriza e legjitimitetit. Ky ka pasur krizë të legjitimitetit, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti e kanë amnistuar presidentin tonë nga kriza e legjitimitetit që e ka pasur ai. Dashje pa dashje, ata janë bërë përgjegjës në atë që do të nënshkruhet në fund. Nuk e di ata a e dinë, mirëpo populli, qytetari, do t’i mbajë përgjegjës edhe Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn, bile-bile dhe për atë që Hashim Thaçi do të nënshkruajë, ndoshta pa e ditur dhe këta hiç, sepse iu kemi shpjeguar dhe iu kemi treguar që ky projekt ndalet kështu. Së pari një aktvendim për Hashim Thaçin, kjo është pika e parë. Pika e dytë, ai aktvendim duhet t’i dërgohet Federica Mogherinit dhe t’i thuhet që gjithçka që ke folur me këtë njeri, që ke arritur deri tash, ka rënë në zero, tash është në zero. Mos konsidero që ke arritur asgjë me Hashim Thaçin”, tha ai.

Ai po ashtu vlerësoi se me vetëdije apo pa, ky delegacion po i bëhet bisht presidentit Hashim Thaçi për ndarje të Kosovës. Sipas tij, kjo shihet te mënyra “se si Thaçi po i mban peng me dokumente që nuk po ua dorëzon”, gjë që tregon se “është shumë i vendosur për të vazhduar rolin e tij dhe delegacionin ta marrë si bisht herë pas here, kur ka kohë, në Bruksel”.