Arbëri

Kërkohet buxhet i veçantë për viktimat e dhunës, mungojnë donacionet

Vetëm gjatë vitit 2019-ë sipas statistikave të OSBE-së kanë dalë të jenë mbi 400 raste të dhunës në familje të cilët gjenden në strehimore. Për strehimin e këtyre viktimave po përkujdesen strehimoret të cilat nuk qëndrojnë financiarisht mirë, ngase si pasojë e financimit u mbyll edhe strehimorja në Prishtinë.

Zëvendësministri i Drejtësisë dhe koordinatori nacional kundër dhunës në familje, Naim Qelaj në një intervistë për Ekonomia Online tha se financimi ka qenë sfida kryesore e të gjitha strehimoreve që qëndrojnë në Kosovë dhe shkak i mbylljes së strehimore së Prishtinës.

“Problemet që sot ballafaqohen strehimoret, nuk është problem i sotëm, por është i viteve të mëparshme, qysh prej ditës së parë që jam emëruar si koordinatorë jam ballafaquar me situatën që strehimorja e Prishtinës ka qenë e mbyllur. Pas zgjidhjes së problemit të kësaj strehimore dhe një ndërhyrje ad-hock të Qeverisë me financim nga mjetet rezervë atëherë kam pas kohë me bë më shumë analizë pse ekzistojnë këto vështirësi në financim dhe cilat janë mënyrat më të mira me i zgjedhë problemin e financimit të qëndrueshëm të strehimoreve”, tha ai.

Qelaj tha se strehimoret luajnë rol të veçantë për viktimat e dhunës dhe si shkak i kësaj së shpejti edhe në Novobërdë do të hapet një strehimore e re ku kryesisht do t’i shërbej viktimave që vinë nga komuniteti serb.

“Aktualisht në Kosovë funksionojnë 7 strehimore apo shtëpi të sigurta ku viktimat e dhunës në familje strehohen përkatësisht si zgjidhje e përkohshme të situatave të tyre kur mbesin pa strehim dhe banim, është në fazën e licencimit edhe një strehimore, strehimorja e Novobërdës dhe kjo strehimore kryesisht do të shërbej për viktimat që vinë nga komuniteti serb”, tha ai.

Qelaj tha se edhe vitin e kaluar janë mbajtur disa takime ku synohet të arrihet një zgjidhje sa më e mirë për strehimoret dhe se thirrja për grante është bërë në periudhën e muajit dhjetor. Qelaj gjithashtu tha se Komunat duhet të kontribuojnë më shumë në raste të tilla pasi sipas tij ato nuk duhet të ofrojnë vetëm siguri, por edhe riintegrim, aftësim profesional dhe mundësi për integrim.

Përveç që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka mbuluar 50% të shpenzimeve të këtyre strehimoreve, Qelaj përmendi edhe donacionet e mëhershme që u janë bërë strehimoreve e që sipas tij tani ato mungojnë.

Duke parë raste të shumta të dhunës në familje që po ndodhin kohët e fundit dhe se a i përballojnë këto strehimore këtë fluks të viktimave Qelaj tha këto strehimore i mbulojnë ato kërkesa minimale.

“Duhet të ketë rritje të strehimoreve mirëpo edhe këto aktualet mbulojnë ndoshta jo në kapacitetet e mjaftueshme ashtu si duhet të jetë akomodimi për viktimat megjithatë plotësojnë kushtet minimale dhe janë të gatshme me e përballu fluksin e viktimave të dhunës në familje që kanë nevojë për strehim në këto strehimore”, tha ai.

Ai tha se ka pasur kërkesë që një strehimore të hapet në veri të Mitrovicës.

Qelaj tha se projektet për vitet e ardhshme do të vazhdojnë. Ai gjithashtu tha se është dorëzuar një projekt në zyrën e BE-së, e që do t’u mundësoj viktimave të dhunës të bëhen të pavarura nga ana financiare.