Arbëri

Kosova dhe Brunei Darussalam vendosin marrëdhënie diplomatike

Republika e Kosovës dhe Brunei Darussalam, kanë vendosur marrëdhënie diplomatike në përputhje me dispozitat e Konventës së Vjenës së vitit 1961 mbi Marrëdhëniet Diplomatike, të cilat kanë hyrë në fuqi më 20 shkurt të vitit këtij viti, njofton kumtesa nga MPJ, transmeton koha.net.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve është bërë në bazë të vullnetit të përbashkët për t'i zhvilluar dhe forcuar marrëdhëniet miqësore, për ta ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, dhe për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në sferën politike, ekonomike, tregtare, teknike dhe kulturore, si dhe në fushat tjera të interesit të përbashkët.

Gjithashtu marrëdhëniet diplomatike janë vendosur konform qëllimeve dhe parimeve të përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe normat e së drejtës ndërkombëtare.

Vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës dhe Brunei Darussalam i ka paraprirë vizita e ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj së fundmi në këtë shtet ku u prit nga përfaqësuesit më të lartë shtetërorë të cilët i ka falënderuar për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës, para dhe pas njohjes së pavarësisë.