Arbëri

SPASH inkurajon SBASHK-un që të mos lëshojnë pe ndaj kërkesave të tyre

Në ditën e pestë të grevës së mësimdhënësve, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli ka vizituar Sindikatën e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës.

Në shkollën fillore " Dardania", kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, tha se kanë qenë të detyruar për këtë grevë, dhe se mjaftueshëm janë premtuar tash e sa kohë.

"Kjo grevë nuk ishte në dëshirën tonë. Veçmas nga janari e këtej sindikata është munduar të korrigjojë projektligjin e pagave, e cila është diskriminuese dhe nënçmuese. Nuk kemi lënë derë pa trokitur, gjithnjë në përpjekje që të mos vijë puna deri këtu, gjithmonë me premtime. Më 28 dhjetor filluam me një grevë një orëshe. Nuk ndodhi asnjë e re me dialogun. Greva do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme", tha Jasharaj.

Ai ka akuzuar ministrin e Arsimit, Shyqëri Bytyqi, se po zhvillon takime të fshehta me drejtorët e shkollave, ndërsa nuk po i takon përfaqësuesit e SBASHK-ut.

E kryetari i Sindikatës së pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli ka inkurajuar SBASHK-un që të mos lëshojnë pe nga kërkesat e tyre.

"Jemi këtu për t'iu inkurajuar që të mos dorëhiqeni, deri në realizimin e kërkesave të juaja. Mos u merrni me qeverinë, ata kanë punët e tyre. Tash ka ardhur koha që mësimdhënësit të kenë paga më të larta... Askush nuk mund të vlerësohet më shumë se mësuesit, ju jeni ata që i keni përgatitur ata që dalin sot dhe kanë paga të majme", tha Kaptelli.