Arbëri

Thaçi e takon Ekipin për dialog tek pasi t’i kryen pushimet dimërore

Ekipi shtetëror për dialogun vazhdon të mbetet peng i presidentit Hashim Thaçi.

Pavarësisht premtimeve, ky ekip nuk ka arritur të marrë ende asnjë dokument rreth procesit të deritashëm të dialogut, pos një liste që i pari i shtetit ua ka dhënë atyre, me temat të cilat i ka diskutuar me Serbinë ndër vite, raporton KTV.

Ai ka zgjedhur që fillimisht t’i përfundojë pushimet dimërore e tek të hënën do t’i takojë ata.

Zyra e Presidentit, në një përgjigje për televizionin, ka thënë se të hënën do t’ua japë edhe në formë të shkruar informacionet e përgjithshme për periudhën e deritashme të bisedimeve.

Por, thonë se deri tash nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja, meqë është ende veç fazë fillestare e negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse.

Derisa afati prej 30 ditësh që ekipi shtetëror ia kishte caktuar vetes përmes një rezolute për të dalë me platformë ka përfunduar, anëtari i ekipit, Enver Hoxhaj, thotë se ata janë të gatshëm t’ia ofrojnë Kuvendit atë kurdo që Kuvendi është i gatshëm.

Në një intervistë për KTV-në, zëvendëskryeministri Hoxhaj, ka thënë se ata si ekip edhe mund të bëjnë kërkesë për një seancë të veçantë për këtë çështje.

Hoxhaj ka thënë se deri tash asnjëherë nuk u është hapur tema e kufijve, as nga Amerika e as nga BE-ja, dhe siguron se ekipi negociator dhe presidenti do të flasin me një zë e një platformë në procesin e dialogut.

Vetëvendosje, që vazhdon të mos e pranojë këtë ekip dialogues, thotë se ata çdo ditë po e dëshmojnë se janë krijuar vetëm që t’ia mundësojnë Thaçit të kthehet në realizimin e projektit të tij.

Ndërkohë, Jeta Krasniqi nga KDI-ja, thotë se ekipi do të duhej të bënte çmos që t’i realizonte afatet që ia kishte vënë vetes.

Ajo ka thënë se ekipi negociator do të duhej të bënte kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme që t’i njoftonte deputetët për takimin që kanë pasur me Mogherinin në Bruksel.