Arbëri

Edhe Dogana e Kosovës kërkon ngritje të pagave

Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës, përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimet që ka shkaktuar te sindikalistët e Doganës, Draft Ligji i pagave, i cili sipas parashikimeve aktuale të koeficienteve të pagesës të paraparë në Shtojcën Nr.1 të tij si dhe me dispozitat tjera nuk po i eliminon praktikat divergjente dhe nuk po shihet që do të sigurojë një rregullim homogjen të çështjes së pagave në tërë sektorin publik.

“Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës, komisionet parlamentare dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës që të ndërmerren masa të menjëhershme për rritjen e koeficientit të pagesës në Draft Ligjin e pagave për punëtorët e Doganës, ashtu siç parashihen edhe për pozitat tjera në shërbimin publik të institucioneve, me natyrë të ngjashme të punës. Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës konsideron se një kërkesë e tillë legjitime duhet të merret parasysh, bazuar në faktin se kontributi i Doganës është jetik për vendin, ku përveç mbledhjes së të hyrave për buxhetin e shtetit (mbi 70% e buxhetit mblidhet nga Dogana), Dogana luan rol shumë të rëndësishëm në sigurinë e vendit duke luftuar dhe parandaluar veprat e kundërligjshme që cenojnë sigurinë e vendit dhe shoqërinë në përgjithësi”, thuhet në njoftim, përcjell KosovaPress.

Andaj, sipas kësaj sindikate, diferencat e krijuara mes koeficienteve të pagesës së pagave për pozita të njëjta apo të përafërta të punës brenda sektorit publik, kanë shkaktuar një pakënaqësi të madhe të punëtorët, të cilët po ndihen të diskriminuar dhe të anashkaluar.

Ndaj, SPDK bën thirrje që sa më shpejtë çështja e adresuar të zgjidhet në të kundërtën “do detyrohemi që të ndërmarrim veprime tjera sindikale për realizmin e kërkesave të punëtoreve duke u mbështetur në të drejtat që i jep Ligji mbi Organizmin Sindikal”.