Arbëri

Si u mbrojt Sami Lushtaku në Prokurorinë e Specializuar në Hagë

I shkurt ka qenë ballafaqimi i Sami Lushtakut me Prokurorinë e Specializuar në Hagë, raporton KTV.

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën e Drenicës qëndruar nga ora 10 deri rreth orës 15 brenda objektit të këtij institucioni.

Por, KTV-ja ka mësuar se ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, ka vendosur të mbrohet në heshtje.

Burime të afërta me Gjykatën kanë thënë se kjo ka qenë arsyeja e intervistës së shkurtër, krahasuar me marrjen në pyetje të Rrustem Mustafës. Siç merr vesh televizioni, Lushtaku është nisur menjëherë për Kosovë, meqenëse ka vendosur të mos iu përgjigjet pyetjeve të prokurorëve të specializuar.

Këtë indikacion e ka dhënë edhe vet kur ka përfunduar intervistimi.

Për hetimet e Prokurorisë së Specializuar dhe pretendimet e tyre që lidhen me Lushtakun, nuk ka folur as avokati i tij britanik.

Geoffrey Nice shkurt ka thënë se nuk do të flasin me mediat.

Lushtaku ka qenë ish-komandanti i dytë i UÇK-së që është marrë në pyetje gjatë kësaj jave këtu në Hagë.

Për dy ditë radhazi pyetjeve të Prokurorisë u është përgjigjur Rrustem Mustafa.

Kurse, javën tjetër për intervistim në Hagë do të vijë Nazif Mehmeti - ish-shef i Policisë ushtarake në Zonën e Llapit.