Arbëri

Autoriteti më i lartë i NATO-s sot diskuton për Kosovën

Foto: Koha

Autoriteti më i lartë i NATO-s do të mbajë të mërkurën ditën e dytë të takimeve në bazën e organizatës në Bruksel.

Shefi turk i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Yasar Guler, dhe shefat e mbrojtjes të NATO-s, do të adresojnë një sërë termash në konferencën dyditore të 180-ën me radhë të Komitetit Ushtarak.

“Dita e dytë do të përqendrohet në Zhvillimin e Luftës, përmirësimin e ofrimit të aftësive të përbashkëta,partneritetin NATO-Gjeorgji me fokus të veçantë në progresin e Pakos Substanciale NATO-Gjeorgji, e që do të përfundojë me një diskutim të gjerë për Ballkanin Perëndimor dhe Misionin e Forcës së Kosovës”, ka thënë NATO-ja në një komunikatë.

Agjencia spanjolle e lajmeve EFE, dje raportoi se debati për Kosovën do të zhvillohet të mërkurën ku pritet të dalin edhe me “rekomandime”, transmeton Koha.net.

Në muajin dhjetor, NATO-ja tha se do të vazhdojë me misionin e saj paqeruajtës në Kosovë për të garantuar sigurinë, pavarësisë vendimit të autoriteteve këtu për të krijuar ushtrinë, por thanë se do të “rishikojnë” raportet me Kosovën.

“NATO-ja, si një aleancë, ka punuar shumë që të mbajë rajonin të sigurt për më shumë se 18 vjet përmes misionit të KFOR-it, i cili tani ka rreth 4,000 trupa, dhe përmes asistencës sonë dhe këshillave, që ndihmojnë në ndërtimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve civile”, ka thënë presidenti i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Mareshali britanik Stuart Peach.

Britaniku ka insistuar po ashtu se “siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbeten të rëndësishme për NATO-n”.