Arbëri

Ahmeti: S’ka marrëveshje pa kompromise

Foto: Koha

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka thënë se në Kosovë opinioni duhet të dijë që çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet mes dy shteteve, përfshihen kompromise që s’do të kënaqin të gjithë.

Në një intervistë për KTV-në, Ahmeti ka folur lidhur me procesin e arritjes së marrëveshjes historike Maqedoni – Greqi, që shpiu në ndryshimet kushtetuese duke çuar në ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut. E ka quajtur proces të komplikuar dhe me kompromise jo të lehta. Ka thënë se në këtë proces ka pasur shumë emocione, por ka shtuar se marrëveshja mes dy shteteve do të sjellë dobi, edhe jashtë dy vendeve. Ahmeti ka thënë se tash janë hapur rrugët për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian për Maqedoninë.

Duke folur për rolin e shqiptarëve në këtë marrëveshje, Ahmeti ka thënë se shqiptarët janë shtet-formues të Maqedonisë dhe se përfshirja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë, sipas tij, e dëshmon këtë.

“Ne si parti politike shqiptare, vullnetin e fortë e kemi pasur që të mbyllet ky kontest dhe në veçanti BDI-së i ka rënë hise derisa ishte bartëse e politikave të Maqedonisë dhe shqiptarëve. Kemi pasur komunikim me të gjitha kancelaritë në Evropë. E kemi parë dhe ishim të bindur se ishte alternativë e vetme që ne të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së, apo e vendeve të përparuara e zhvilluara, si në aspektin demokratik, por edhe ekonomik. Mendoj se marrëveshja është bërë me vullnet të dyanshëm e jo të imponuar. Jemi dakorduar për këtë zgjidhje. Është kompromis dhe neve na ka siguruar Greqia që edhe atje shumë shpejt do të ratifikohet marrëveshja”, ka thënë ai.

Ahmeti më tej ka thënë se tani është koha që shqiptarët të punojnë seriozisht në forcim të pozitave të tyre në Maqedoni. Ka përsëritur qëndrimin se shqiptarët s’kanë nevojë për më shumë se dy parti politike në Maqedoni.

“Po të flisnim njëzëri do të ishim një parti politike. Po e theksoj për KTV-në që shqiptarët në Maqedoni s’kanë nevojë për më shumë se dy parti politike. Ekzistenca e katër-pesë partive i bën të parëndësishëm shqiptarët. Është në dëm të shqiptarëve, por janë kohëra të demokracisë dhe në demokraci, i shfrytëzojnë këto lëvizje, këto të drejta për t’u bërë të rëndësishëm, apo për të dalë në ekranet televizive me tezat nga më të ndryshmet. Ne jemi përpjekë që të japim porosi për të gjithë shqiptarët në Maqedoni mbi filozofinë tonë se si e mendojmë organizimin ne dhe si mund të jenë shqiptarët më mirë. Mua më vjen turp kur shkojmë në delegacione të huaja, kur kemi shtatë apo tetë përfaqësues, ndërsa maqedonasit kanë dy, një pozitë e një opozitë. Kam thënë se nuk do të shkoj më e të shkojnë ata që nuk e kanë legjitimitetin për të përfaqësuar shqiptarët. Duhet të konsolidohemi si t’i bëjmë më të rëndësishëm shqiptarët”, ka shtuar ai.

Duke folur për dialogun Kosovë – Serbi dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve, Ahmeti ka thënë se çdo marrëveshje ka kompromise. Edhe kjo marrëveshje, sipas Ahmetit, do të kontribuojë në stabilitet të rajonit.

“Jam i vetëdijshëm që problemi Kosovë-Serbi duhet të mbyllet. Uroj që të jenë bisedime të suksesshme sepse pa përmbyllje të këtij problemi sigurisht i tërë rajoni i Evropës Juglindore nuk është i qetë, nuk është në rrugë të mbarë drejt anëtarësimit në BE, drejt anëtarësimit në NATO, drejt të pasurit një Evropë Juglindore të paqes, stabile, sigurt. Ky problem kërkon zgjidhje përfundimtare. Do uroja që kjo çështje të zgjidhet dhe të respektohet vullneti i palëve. Tani është koha, sepse në hasmëri të përhershme s’mund të ecim përpara. Shohim se janë tërhequr nga komunat e veriut. Janë tërhequr zyrtarë të lartë. Serbia ka tërhequr terminalin doganor nga Presheva. Sigurisht që e gjithë kjo shkon në drejtim të kërkimit të sa më të shpejtë të zgjidhjes së drejtë të problemit. Kompromiset janë edhe të dhimbshme, por Kosova ka organet legjitime, qeverinë, presidencën, parlamentin. Ka partitë politike në pozitë e opozitë që kanë përgjegjësi e që të gjitha duhet të jenë kontribuues të kërkimit të një zgjidhje sa më të pranueshme për palët dhe më pak të rrezikshme edhe për rajonin. Të mos ketë reflektime me pasoja për rajonin”, ka shtuar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, sikur Marrëveshja e Prespës, edhe ajo Kosovë – Serbi do të sillte të mira për rajonin, jo vetëm në aspektin e paqes, por edhe të zhvillimit ekonomik. Ai ka përmendur edhe kontributin e ndërkombëtarëve në Kosovë.

“Mendoj që përfundimisht, miqtë tanë në çdo kohë na janë gjetur pranë dhe e pranojmë që suksesi në Maqedoni duhet ndarë me komunitetin ndërkombëtar. Edhe sukseset në Kosovë duhet ndarë me Washingtonin, Brukselin e NATO-n. Ishin aleatët tanë dhe bashkë me ta duhet të mbyllet problemi shqiptaro-serbë. Shpresoj që ky angazhim është goxha i fortë dhe shumë shpejt do të jetë zgjidhje për problemin. Mendoj që ku ka kompromis ka edhe pakënaqësi. Kur u arrit kompromisi i Marrëveshjes së Ohrit pati pakënaqësi, por pas një dekade reflektuan të gjitha palët dhe e shohin si moment të rëndësishëm dhe dobishëm për vendin. Pas marrëveshjes, kompromiset janë të pashmangshme në këto situata. S’ka kompromis që do i kënaqë palët. Por vlerësimi i vërtetë do të shihet me kalimin e viteve. Do të shihen vlerat e vërteta të një marrëveshje të arritur”, ka deklaruar më tej ai.

Ahmeti ka folur për Gjykatën Speciale, që sot nisi punën me intervistimin e ish-komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa.

“Nuk kam pa asnjë dokument të lëshuar që UÇK-ja ka dhënë urdhër, direktivë për të bërë akt të turpshëm, apo në kundërshtim me konventat ndërkombëtare”, ka thënë ai.