Arbëri

Rama, si Tsipras, bëhet edhe ministër i Jashtëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, përmes facebook-ut ka njoftuar se do të marrë edhe funksionin e ministrit të Jashtë të Shqipërisë.

Nën ethet e “Luftës së Ftohtë” me ish-aleatin e tij qeveritar Ilir Meta, tashmë president të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama thirri paraditen e sotme Kryesinë e PS, për të diskutuar çështjet më të nxehta të momentit në politikë, ku padyshim kryefjala ishte mos dekretimi i Gent Cakajt si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, përmes facebook-ut Rama ka shkruar: ”Presidenti s’e ka çdekretuar Ministrin e Jashtëm në afatin kushtetues. Shkelje e radhës që do ta ballafaqojmë bashkë me të tjerat në Gjykatën e re Kushtetuese. Deri atë ditë që vjen shumë shpejt, do të jem de jure në këtë rol sepse s’kemi kohë për të humbur në kërkim të Presidentit”.

Por, pavarësisht se Rama do të zëvendësojë vetë Ditmir Bushatin, duke ndjekur shembullin grek ku Aleksis Tsipras u bë ministër i Jashtëm, pas dorëheqjes së Nikos Kotzias, pritet që “krisja” Kryeministri-Presidencë të dërgohet nga PS si çështje në Gjykatën Kushtetuese, e cila për momentin është nxjerrë jashtë funksionit, nga “kokat e prera” prej vettingut.