Arbëri

VV: Qeveria fajtore pse mësimdhënësit hynë në grevë

Lëvizja Vetëvendosje akuzon Qeverinë e Kosovës se është fajtore që SBASHK-u ka hyrë në grevë.

Deputeti i VV-së Ismajl Kurteshi, ka thënë se grevën nuk e deshën as mësimdhënësit, por u detyruan të hyjnë në grevë si pasojë e kësaj qeverie.

"Greva që nuk e deshën as mësimdhënësit erdhi si pasojë e kësaj qeverie. Sikur qeveria të mos i rriste pagat e veta, që me të drejtë nxiti shumë sektor nuk do të krijoheshin pakënaqësitë që janë sot. Sikur qeveria të mos i injoronte shqetësimet e sindikatës sot fëmijët nuk do të mbetnin pa mësim. Është detyrë e kësaj qeverie që së bashku me sindikatën të gjejnë një zgjidhje të arsyeshme që mësimi të fillojë", tha ai, transmeton kp.

Ai bëri të ditur se nesër do të ftojnë një mbledhje të jashtëzakonshme të komisionit parlamentar për të diskutuar për grevën.

Ndërsa, deputetja Arbërie Nagavci, tha se Qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e SBASHK-ut.

"Nuk është sjell në votim të dytë projektligji për pagat dhe është e qartë se vet koalicioni qeverisës e ka vonuar këtë ligj. Qeveria e cila falë me dhjetëra miliona euro, që e stërmbush qeverinë me këshilltar nuk merret aspak me zgjidhjen e këtyre problemeve. Është e papranueshme që projektligji për pagat parasheh rritje për presidentin kryeministrin dhe jo edhe për mësimdhënësit", tha ajo.