Arbëri

Rama: Kemi sekuestruar 100 milionë euro pasuri kriminale

Kryeministri Edi Rama vlerësoi të martën punën e Policisë së Shtetit, e cila në 3 vite ka sekuestruar 100 milionë euro pasuri kriminale, një zë i rëndësishëm që i është shtuar fondeve të buxhetit të shtetit.

Në një aktivitet të zhvilluar sot në sheshin përpara Ministrisë së Brendshme për promovimin e grave në Policinë e Shtetit, Rama theksoi arritjet e këtij dikasteri gjatë këtij mandati qeverisës.

Kryeministri theksoi se “është rritur besimi i qytetarëve te Policia e Shtetit dhe kjo shikohet nga numri i telefonatave të qytetarëve në numrat e emergjencës së Policisë, i pakrahasueshëm me thirrjet e viteve të mëparëshme”. “Në këto 3 vjet kemi numrin mesatar më të ulët të vrasjeve në Shqipëri, në mbi 20 vite. Po ashtu shikohet kemi 7384 persona të shpallur në kërkim që janë kapur”, tha Rama.

Duke u ndalur te sekuestrimi i parave të krimit, Rama tha se “sekuestrimi i 100 milionë eurove, janë sa 100-fishi i sekuestrimeve gjatë vitit të fundit të qeverisë së shkuar”. “Një fakt kokëfort përball lumit të llumit që derdhet ndaj Policisë së Shtetit, ku gjithëfarë karagjozësh me mandat nga populli, që vetëm për popullin nuk mendojnë, i adresojnë Policisë së Shtetit një akuzë tërësisht të pavërtetë. 100 milionë euro pasuri kriminale janë të atyre që deri dje kishin mbrojtje nga kjo godinë. 100 milionë euro për buxhetin e Shqipërisë janë një zë shumë i konsiderueshëm. Ato vijnë nga droga, nga trafiqet, kontrabanda, pra janë para që sekuestrohen dhe nuk janë para, që deri dje gjenin rrugët për t’u shpërndarë sa në anën e krimit aq edhe në anën e Policisë”, tha Rama.

policia (1) Sipas tij, “kjo shifër e parave të sekuestruara është 254 për qind më shumë se në 8 vite të mbledhura bashkë të qeverisë së atyre që çdo ditë sulmojnë Policinë e Shtetit”.

Kryeministri vlerësoi punën e Ministrisë së Brendshme, një institucion që sipas tij, në 26 vjet kurrë nuk ka qenë si tani në krye të punës dhe respektit të njerëzve për institucionet e shtetit, por që paradoksialisht është institucioni më i sulmuar nga politika. Arsyeja, sipas Ramës, është që ky institucion bën punën e vetë, që është goditja e krimit.

“Gjatë qeverisjes së kaluar, Policia e Shtetit ka qenë e veshur dhe e pajisur keq dhe është gjendur gafil përballë forcave të krimit, jo nga paaftësia, por nga telefonatat që bëheshin prej kësaj godine për të dekonspiruar operacionet e RENEA-s, që gjendej në një mjedis që të kujtonte mjediset e atyre refugjatëve që dalin nga deti e nuk ka kush t’i presë. Sot ne i krijojmë RENEA-s kushtet më optimale pasi po përfundon ndërtimi i kompleksit”, tha Rama.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri nënvizoi se Policia e Shtetit këto tre vitet e fundit ka qenë më e hapur për punonjëset femra. Ai rrëfeu se në tre vjet femrat në polici janë 14 % e trupës.

policia (3)“Në polici ishte burri personazhi i vetëm. Zgjodhëm një qasje tjetër ndaj policisë. Policia më shumë rezultat jo me forcën e muskujve, por të mendjes. E gjetëm policinë të shkatërruar, sot është me uniforma, mjete, armë, teknologji dhe paga të larta. E gjetëm të tradhetuar, të korruptuar, sot shërbehen mbi 350 mijë qytetarë që shërbehen. Sot Akademia e Sigurisë formon punonjës të denje. Në 3 vjet, femrat në polici janë 14 % e trupës. Siguria është më e shtuar nëse femrat janë pjesë e Policisë. Kemi 100 fishuar pasurinë kriminale në këto vite. Në 3 vjet, mbi 3200 të arrestuar për armëmbajtje pa leje”, tha Tahiri. “Sot derë më derë, për ti dorëzuar armët. Sot armiku më i madh i policisë është padrejtësia, sistemi i drejtësisë që bën drejtësi sipas parasë. Fronti i së keqes, nuk e do policinë më të mirë.