Arbëri

Akuza e kundërakuza mes LDK-së e AAK-së

Me akuza dhe kundër-akuza e kanë kaluar pasditen e së shtunës Isa Mustafa dhe Burim Ramadani.

Kryetari i LDK-së përmes një postimi në Facebook ka akuzuar Qeverinë Haradinaj për numrin e madh të këshilltarëve e të zv. Kryeministrave, raporton KTV.

Mustafa ka thënë se këtë e ka bërë vetëm për t’u sqaruar para përkrahësve të tij.

E për këtë status kanë reaguar anëtarë nga AAK-ja e kryeministrit Haradinaj.

Burim Ramadani ka shkruar se Mustafa nuk ka pse të reagojë për Qeverinë Haradinaj, pasi që qeveria e Isa Mustafës nuk ka numëruar sukseset që po shënon qeveria e tanishme.

Madje, Ramadani ka thënë se kryeministri Haradinaj nuk ka nevojë për udhëzimet e ish-kryeministrit Mustafa, sepse do të dështonte.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar arsyet pse qeveria Haradinaj nuk do të marrë mbështetje nga LDK-ja.

Abdixhiku ka përmendur dështimet e mëdha të qeverisë Haradinaj.

Për këtë ka reaguar sërish Isa Mustafa, i cili ka thënë se mobilizimi i partiakëve të AAK-së për të mbrojtur qeverinë Haradinaj po vërehet tej mase.

Por, Ramadani nuk është ndalur me kaq, duke e arsyetuar rreshtimin e tyre si renditje të Kosovës në mesin e Ushtrive demokratike.

Reagimet për numrin e madh të këshilltarëve në zyrën e kryeministrit vijnë pas raportimit të KTV-së gjatë javës për këtë temë.