Arbëri

Ahmeti: Dialogu duhet të përfundojë me njohje, ndryshe s’ka marrëveshje

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, njëherësh i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohjen e Kosovës, ndryshe, s’ka marrëveshje.

Në “Intervistën e Javës” në Koha.net, Ahmeti tha se në takimin e parë që u zhvillua në Bruksel nga Ekipi Shtetëror, me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherinin, nuk kanë hyrë në detaje të temave të caktuara, por, është folur përgjithësisht mbi procesin e dialogut. Ka pohuar se çështja e të pagjeturve është ndër të parat.

Ahmeti, javën e kaluar ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kohë deri të premten (dje), që t’ia dorëzojë ekipit dokumentacionin mbi procesin që është zhvilluar deri tani rreth dialogut, por ai se ka bërë. Ahmeti tregoi se ia kanë kërkuar zyrtarisht, dhe se Thaçi është zotuar se do të ketë bashkëpunim të plotë me delegacionin, megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Është çështje e përgjegjësisë institucionale dhe shtetërore. Si delegacion shtetëror, ne kemi bërë punën tonë”, thotë Ahmeti.

Se Serbia ka vënë kusht heqjen e taksës për ta vazhduar dialogun, Ahmeti thotë se nuk janë përmbushur kushtet për heqjen apo suspendimin e përkohshëm të taksës.

Kryetari i PSD-së, gjithashtu thotë se nuk arrin ta kuptojë arsyen pse Vetëvendosja e LDK-ja nuk po inkuadrohen në dialog.

Flet për përplasjet PSD-VV. Thotë se kjo e fundit, po mbyll çdo mundësi bashkëpunimi me partinë e tij.

“Por, asgjë e jashtëzakonshme, posaçërisht me Albinin. Dikur thoshte se Isa Mustafa është tradhtari më i madh, ndërsa tash që po i duhet për pushtet, po thotë se Isa Mustafa është më i miri”, tha ai.

Ahmeti ka folur edhe për mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje parlamentare. Kur të vijnë zgjedhjet, thotë ai, PSD-ja do të përcaktojë veprimet e saj në raport me atë cikël zgjedhor, por, ka përjashtuar mundësitë për të bërë koalicion me PDK-në.

“Parimet e bashkëpunimit do të jenë politikat tona dhe programi jonë. Përjashtojmë ndonjë koalicion me PDK, sepse besojmë se PDK duhet të kalojë së paku një mandat në opozitë. Por, nuk jemi të interesuar që të vjen në pushtet një PDK e re, që siç duket është edhe synimi i disa subjekteve të tjera politike”, tha Ahmeti.

Koha.net: Z. Ahmeti, jeni bashkëkryesues i Ekipit Shtetëror në bisedime me Serbinë. Sinqerisht, a prisni që dialogu të përfundojë me njohjen e Kosovës?

Ahmeti: Po patjetër! Ky është qëllimi kryesor dhe qëndrimi i Kosovës në dialog. Njohja është një ‘conditio sine qua non’. Nuk ka marrëveshje, nëse nuk ka njohje. Ky qëndrim është i shprehur në hyrje të Rezolutës. I njëjti do të sanksionohet në Ligjin dhe në Platformën për Dialogun.

Koha.net: Keni zhvilluar takimin e parë në Bruksel me zonjën Mogherini. Si shkoi takimi?

Ahmeti: Takimin e vlerësojmë pozitivisht, ku nga ana e znj.Mogherini u njohëm me procesin e deritanishëm dhe ku e njoftuam atë me krijimin e delegacionit shtetëror, aranzhimet institucionale dhe pritjet tona nga procesi.

Koha.net: Është thënë se primare në dialog do të jetë çështja e të pagjeturve nga lufta e fundit. Cili është propozimi që keni dhënë ju dhe si është pritur nga Mogherini?

Ahmeti: Të pagjeturit janë njëra ndër temat e hapura me Republikën e Serbisë. Nuk mund të ketë marrëveshje me Serbinë pa u trajtuar çështja e të pagjeturve. Ende nuk kemi hyrë në detaje të temave të caktuara, por kemi folur së pari mbi procesin në përgjithësi. Pritet që të ndërtojmë pozicionet tona për secilën temë, të cilat do t’i parashtrojmë në dialog. Një pjesë e punës për të pagjeturit është bërë nga shoqatat, shoqëria civile dhe institucionet qeveritare në Kosovë. Do ta zbërthejmë dhe ndërtojmë pozicionin tonë me kërkesa edhe më të qarta pas konsultimeve të mëtejme, por nuk mund të ketë marrëveshje, e aq më pak drejtësi e paqe pa u zgjedhur çështja e të pagjeturve.

Koha.net: Zyrtarët e BE-së deklaruan se me Delegacionin Shtetëror janë takuar vetëm për konsulta, ndërsa bisedimet e nivelit të lartë zhvillohen sërish mes presidentëve Thaçi e Vuçiq. A i bie kjo që roli i z.Thaçi do të mbetet i njëjtë?

Ahmeti: Kjo çështje u qartësua gjatë takimit të fundit në Bruksel, edhe mbi deklarimet e znj. Kocijançiq, që ishte e pranishme në takim. Brukseli e ka shumë të qartë rolin, mandatin dhe përgjegjësitë e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë. Kjo nuk do të thotë se kemi ndërruar rendin kushtetues. Republika e Kosovës ka edhe President, Kryeministër, Qeveri dhe Kuvend. Por, Kosova është republikë parlamentare dhe Kuvendi është institucioni më i lartë ligjvënës në vendin tonë. Ne kemi mandat nga Kuvendi. Kur ftohet, edhe presidenti do të jetë në Bruksel, por do të jemi të pranishëm edhe ne në takim. Pra do të ketë bashkërendim institucional, por sipas rezolutës së miratuar nga Kuvendi, delegacioni shtetëror është i vetmi institucion që ka mandatin e qartë për negociata, në konsultim me institucionet e tjera shtetërore.

Ahmeti: Bashkëpunimi i plotë me delegacionin është çështje e përgjegjësisë shtetërore për presidentin

Koha.net: Pse presidenti Thaçi nuk po ua dorëzon dokumentet rreth dialogut? A jeni në dijeni, nëse Thaçi posedon dokumente, të cilat deri tash nuk janë bërë publike?

Ahmeti: E jona është që t’i kërkojmë zyrtarisht. Ne i kemi kërkuar në mënyrë zyrtare. Presidenti është zotuar se do të ketë bashkëpunim të plotë me delegacionin. Është çështje e përgjegjësisë institucionale dhe shtetërore. Si delegacion shtetëror, ne kemi bërë punën tonë.

Koha.net: Gazeta amerikane, “The washington Post”, ka shkruar se Presidenti amerikan Trump është në përgatitje të ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Kosovë-Serbi. Këtij hapi i ka paraprirë një takim i pa raportuar i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Berlin muajin e kaluar, me ambasadorin e SHBA-së, Richard Grenell. A jeni në dijeni se për çka është marrë vesh Presidenti me ambasadorin amerikan dhe cila është marrëveshja që po përgatitet?

Ahmeti: Nuk kemi informata të tilla. Por, më mirë do ishte të fokusohemi në përmbajtjen, para se të flasim për ceremonitë nënshkruese.

Koha.net: Flasim pak për taksën ndaj mallrave serbe. A besoni se taksa s’do të hiqet pa u njohur shtetësia e Kosovës?

Ahmeti: Taksa është vendim i Qeverisë se Republikës së Kosovës. Ajo është ndërmarrë pas një politike agresive të Serbisë karshi Republikës së Kosovës. Kosova duhet të përgjigjet atëherë kur sulmohet, ky është konfirmim dhe ushtrim i subjektivitetit shtetëror. Delegacioni shtetëror nuk ka mandat për vendimet qeveritare. Megjithatë, ne e kemi obligim konsultimin dhe përgatitjen e strategjisë për dialogun. Serbia e ka vërë kusht heqjen e taksës për ta vazhduar dialogun. Ne mendojmë se nuk janë përmbushur kushtet për heqjen, apo suspendimin e përkohshëm të taksës. Delegacioni shtetëror do të konsultohet me qeverinë, por fokusi është njëherësh në funksionalizimin e plotë të ekipit shtetëror dhe komisioneve. Pastaj edhe mund të flasim për çdo temë veç e veç, përfshirë edhe tregtinë me Serbinë.

Koha.net: Z.Ahmeti, po kritikohet numri i madh i këtij Ekipi Shtetëror. Pse duhet të shkojnë kaq shumë njerëz në Bruksel? Çka bëjnë realisht pjesa tjetër e ekipit?

Ahmeti: Delegacioni shtetëror ka numër të caktuar anëtarësh, të votuar nga Kuvendi i Kosovës, secili me përfaqësim të veçantë. Meqenëse ishte takimi i parë me karakter njoftues, atëherë të gjithë anëtarët e delegacionit ishin të pranishëm. Po bëhet fjalë për dialog ku do të diskutohen zgjidhjet për të gjitha temat e hapura. Ne jemi në proces të rekrutimit të profesionistëve më të mirë për secilën temë. Në anën tjetër, më herët kemi pasur alarm mbi udhëheqjen e procesit vetëm nga një person, kurse tash që kemi Delegacion të votuar nga Kuvendi, sikur pengon gjithëpërfshirja. Në takimet e radhës, përbërjet do të jenë të ndërtuara sipas përgjegjësive dhe temave dialoguese.

Koha.net: Qëndrimet që proklamon Delegacioni Shtetëror dallojnë prej atyre që thotë Thaçi, i cili nuk e përjashton as ndryshimin e kufijve. Sa e dëmton Kosovën mungesa e një qëndrimi të përbashkët dhe a do të arrini të flisni me një zë në Bruksel?

Ahmeti: Delegacioni shtetëror do të jetë njëzëri. Kosova do të flasë me një zë dhe ai zë tashmë nuk është britmë vajtuese, por po bëhet artikulim. Do të ishte e çuditshme po të kishte pajtim të plotë nga çdo anëtar për çdo gjë. Mirëpo, rezoluta ka paraparë edhe sistemin e votimit në vendimmarrje. Ne kemi mandat të qartë me rezolutë, prandaj nuk mund të dalim jashtë atyre kornizave. Do të kemi pajtim të plotë dhe delegacioni i Kosovës është përfaqësimi i shtetit të Kosovës. Ky artikulim konsiston në Rezolutën e miratuar, në Platformën dhe në Ligjin që do të miratohen.

Koha.net: A është përgatitur ende platforma e dialogut, për të cilën keni thënë se në Kuvend do të dërgohet më së largu deri me 15 janar?

Ahmeti: Po, platforma do të jetë gati në datën përkatëse.

Koha.net: Iu duhen 2/3 e votave në Kuvend që të ratifikohet marrëveshja eventuale me Serbinë. Besoni se Vetëvendosja e LDK-ja do të votojnë?

Ahmeti: Mandati jonë është të negociojmë, të raportojmë dhe të arrijmë marrëveshjen. Para se të dimë se cila është ajo marrëveshje, unë nuk mund të flas as për votat e PSD-së. E drejtë e secilit deputet është të votojë si të dojë.

Ahmeti thotë se nuk arrin ta kuptojë arsyen pse Vetëvendosja e LDK-ja nuk po inkuadrohen në dialog

Koha.net: Pse mendoni se këto dy parti nuk po inkuadrohen në dialog?

Ahmeti: Kjo është pyetje për ato subjekte, por mund të them se nuk e kam kuptuar ende. Në qoftë se janë forca politike të Republikës, e janë për dialog, e ku Kuvendi voton për dialog dhe për ekip, atëherë nuk e kuptoj pse nuk janë pjesë e dialogut.

Ahmeti: Kurti dikur thoshte se Mustafa është tradhtari më i madh, tash që po i duhet për pushtet po thotë se është më i miri

Koha.net: Z. Ahmeti, ka përplasje të vazhdueshme mes partisë që ju tani drejtoni dhe VV-së. A keni qenë kaq kritikë ndërmjet vete edhe sa ishit bashkë?

Ahmeti: Më mirë do të ishte të fokusohemi në politikat dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve. VV vazhdon që 90% të kohës të merret me PSD-në dhe sidomos me mua. Po mbyllin çdo mundësi bashkëpunimi me ne. Por, asgjë e jashtëzakonshme, posaçërisht me Albinin. Dikur thoshte se Isa Mustafa është tradhtari më i madh, ndërsa tash që po i duhet për pushtet, po thotë se Isa Mustafa është më i miri. Më mirë do të ishte të fokusohemi në politikat progresive dhe zhvillimore për Kosovën.

Koha.net: Deputeti i partisë suaj, Frashër Krasniqi, në një përplasje me Vetëvendosjen, ndër të tjera thotë “mos të banalizojmë çdo debat, sepse nëse vazhdoni kështu, duhet t'i publikojmë të gjitha faktet e mbledhjeve që kanë të bëjnë me ndarjen tonë”. Për çfarë faktesh bëhet fjalë?

Ahmeti: Për këtë duhet ta pyesni deputetin Krasniqi. Por, ka shumë shpifje dhe hipokrizi në sulmet e VV. Frashëri ka kaluar shumë më shumë kohë se unë në VV. Mbase i referohet shpifjeve dhe hipokrizive të caktuara.

Koha.net: Po përplasjet rreth Komunës së Prishtinës?

Ahmeti: Çështje mendësie. Nga kryetari më i mirë në Kosovë u shndërrova brenda natës në “më të keqin”. Qesharake dhe hajgare e madhe.

Koha.net: Po akuzat e VV-së për lidhjet tuaja me kompaninë “Devolli Group”? Cila është e vërteta në këtë çështje?

Ahmeti: Shpifje krejtësisht të njëjta me ato të PDK-së në vitin 2017. Nuk ka kurrfarë lidhje. E kam theksuar në çdo deklarim publik. Por qëllimi i VV është për ta ndërlidhur besnikërinë e verbër politike me Albinin, me atë të moralit politik. Pra, për VV, në qoftë se pajtohesh me Albinin nënkuptohet me automatizëm se je i pastër. Në qoftë se nuk pajtohesh me Albinin, nënkuptohet me automatizëm se je i korruptuar. Kjo mendësi nuk është asgjë e re. E njohur në histori. Por jam i gatshëm në çdo çast dhe në cilindo medium që të debatojë me Albinin, për Devollët dhe për çdo temë tjetër.

Ahmeti: Po të pyetej opozita unë s’do të isha as kryetar Komune as bashkëdrejtues i dialogut

Koha.net: Partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë kërkuar nga ju që, si i zgjedhur për të udhëhequr kryeqytetin, të përcaktoheni se kah dëshironi të orientoheni – në Prishtinë apo Bruksel. Cili do të jetë vendimi përfundimtar?

Ahmeti: Po të pyeteshin ato, nuk do të isha as në Prishtinë dhe as në Bruksel. Pozita ime parësore menaxheriale është komuna e Prishtinës. Bashkëdrejtimi i delegacionit shtetëror në Bruksel është në cilësinë e kryetarit të partisë.

Koha.net: Si e konsideroni mandatin e dytë qeverisës me Prishtinën? I keni kërkuar krahët, i keni marrë, e në fund vet i keni ‘këputur’. Sa po realizohen premtimet?

Ahmeti: Nuk kemi këputur krahët. Nuk e di prej nga vjen ky konstatim. Nuk është refuzuar asnjë vendim në Kuvendin Komunal. Kundërshtojnë ata të cilët nuk e kanë pasur përnjëmend programin tonë. Pra, 100 premtimet nuk kanë ndryshuar, ne vazhdojmë t’i implementojmë. Një numër i vogël i individëve përpiqet të propagandojë, sepse nuk pajtohemi me Albinin. Ne jemi të përqendruar dhe po punojmë në jetësimin e krejt premtimeve. Intensiteti i punës është shumë i mirë, kurse punët paraprake procedurale mbi projektet e mëdha tashmë janë marrë. Ky vit do të jetë vit i punëve të mëdha në Prishtinë. Jemi në rrugë të mirë t’i realizojmë të gjitha zotimet tona në tri vitet e mbetura.

Koha.net: Të kalojmë pak prapë në nivelin qendror. Si janë raportet me koalicionin PAN ngase pjesa tjetër e opozitës ju ka akuzuar se jeni shndërruar në patericë të qeverisë?

Ahmeti: Si PSD, ne shqyrtojmë politikat dhe rrethanat e kontekstin. P.sh. ne jemi të vetmit që kemi deponuar nënshkrimet për rrëzimin e qeverisë, ndërsa ata që flasin tërë kohën, nuk e kanë bërë! Bile nuk na kanë thirrur as për një iniciativë. Ata janë të gatshëm ta rrëzojnë qeverinë me Listën Serbe në çfarëdo konteksti, të gatshëm edhe për ta rrëzuar taksën karshi Serbisë, vetëm se për të ardhur në pushtet. PSD nuk e bën këtë. Nuk kemi kërkuar asnjë post, asnjë ministri, asnjë dikaster, por kemi përkrahur dialogun me Serbinë, sepse mendojmë se është përgjegjësi e jona t’i shërbejmë interesit shtetëror. Kur ka iniciativa të mira, ne i përkrahim ato nga perspektiva socialdemokrate. Nuk përkrahim shumë prej tyre. Pra, ne nuk kemi relacion me PAN-in, ne kemi relacion me qytetarin, Kosovën dhe qëndrimet tona socialdemokrate. Për ne, opozitarizmi nuk është kundërshtimi i çdo gjëje, por shtyrja e politikave socialdemokrate në Kosovë.

Koha.net: Keni qenë kritik ndaj z.Veseli e të tjerëve në koalicionin aktual qeverisës, edhe ndaj presidentit Thaçi- mirëpo tani duket që keni pajtueshmëri në shumë aspekte, apo jo?

Ahmeti: Jo. Edhe ky është një konstruksion tjetër fiktiv që përpiqen ta ndërtojnë qarqet e caktuara. Ne nuk e kemi votuar Thaçin për President dhe as që do ta votonim në të ardhmen. Njëjtë edhe për Veselin. Ne pajtohemi për ta përfaqësuar Kosovën, ku edhe dallojmë në zgjidhjet potenciale. Besojmë që Kosovës i duhet sa më shpejt një marrëveshje që i ndan një herë e mirë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë.

Koha.net: Z.Ahmeti, referuar një ankete të publikuar së fundi nga ish-partia juaj, PSD-ja nuk e mbërrin pragun prej 5 për qind, nëse tani mbahen zgjedhjet parlamentare. Sa jeni konsoliduar si parti dhe a është e gatshme PSD-ja të hyjë në zgjedhje e vetme, pra pa koalicione parazgjedhore me ndonjë subjekt tjetër politik? Nëse po, me cilat parti preferoni të shkoni në koalicion dhe a do të jeni përjashtues për partitë në pushtet?

Ahmeti: PSD ka rifunksionalizuar 15 degë. Do t’i hapim së shpejti edhe mbi 10 të tjera. Po shtrihemi gjithandej nëpër Kosovë. Trendi jonë është në rritje edhe në sondazhet e kundërshtarëve tanë politik. Kështu do të jetë deri në zgjedhjet e ardhshme. Kur të vijnë zgjedhjet, PSD do të përcakton veprimet e saj në raport me atë cikël zgjedhor. Parimet e bashkëpunimit do të jenë politikat tona dhe programi jonë. Përjashtojmë ndonjë koalicion me PDK, sepse besojmë se PDK duhet të kalojë së paku një mandat në opozitë. Por, nuk jemi të interesuar që të vjen në pushtet një PDK e re, që siç duket është edhe synimi i disa subjekteve të tjera politike.