Arbëri

Një propozim i shprehur nga Haradinaj rreth taksës ndaj Serbisë përplas koalicionin qeverisës

Përplasje mes koalicionit qeverisës ka shkaktuar propozim-vendimi i Ministrisë së Tregtisë për lirimin e mallrave të importuara nga taksa 100 %, të cilat janë importuar pak para marrjes së vendimit të Qeverisë për taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe BeH.

Kryeministri ka kërkuar që të miratohet ky propozim, me arsyetimin që të mos dëmtohen sipërmarrësit vendorë, raporton KTV.

Por, ky propozim shkaktoi polemika dhe u interpretua si tërheqje e qeverisë nga vendimi i saj për taksën 100 përqind.

E, pasi që Ministria e Financave nuk kishte informata për sasinë e mallit, propozimi u shty për mbledhjen e ardhshme.

Me propozim të Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, qeveria ka emëruar këshilltarin e Lekajt, Esat Berishën drejtor të Aviacionit Civil.

Derisa, vetë kryeministri ka thënë se nuk e njeh fare këtë person .

Ndërsa, kur ka folur për koncept-dokumentin për lojërat e fatit, kryeministri ka thënë se qëllimi i qeverisë është futja nën kontroll e tyre.

Në këtë mbledhje të qeverisë është miratuar gjithashtu propozim-vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Kosovës zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019 të përcaktuara me ligjin e buxhetit të vitit 2018.