Arbëri

Përmbledhje e KTV-së për debatin rreth mosdekretimit të Cakajt

Zv/ministri aktual i Shqipërisë, Gent Cakaj nga Kosova, ende nuk mund të marrë përsipër udhëheqjen me diplomacinë shqiptare.

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një sqarim të gjatë pse nuk e ka dekretuar njeriun e Ramës.

Aty thotë se, përveç mungesës së përvojës në politikën e jashtme, janë të papranueshme qëndrimet e tij për korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi.

Meta i ka konsideruar si të rrezikshme dhe me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë qëndrimet e tij mbi këtë çështje.

“Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zv/ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime, se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme”.

Refuzimin e Cakajt, kryeministri Rama e ka quajtur antikushtetues dhe të turpshëm.

“Refuzimi i presidentit për dekretimin e ministrit të ri për Evropën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm. Argumentet e dhëna nga zoti president janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp”, ka shkruar Rama.

Pas këtij reagimi, Meta ka thënë se më të rëndësishëm e sheh integritetin territorial të Kosovës.

“Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si president i vendit tim”, ka shkruar Meta në Facebook.

Me kundërpërgjigje të njëjtë ka reaguar përsëri Rama.

“Që presidenti ynë ta shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X...Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës.”

Vendimin e presidentit Meta e ka përshëndetur Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo thotë se Cakaj ka mbajtur një linjë në dëm të interesave kombëtare dhe nuk nguron të shtyjë idenë e zbatimit të një forme të “Zajednicës” në Kosovë.

Për publicistin dhe shkrimtarin Veton Surroi, debati për Cakajn po merr kahen e tifozërisë, e në tifozëri, thotë ai, nuk ka debat.

Surroi thotë se ky është moment që kryeministri Rama të sqarojë, a e përkrah Shqipëria ndarjen e Kosovës në vija etnike të propozuar nga presidenti Vuçiq e të pranuar nga Thaçi.