Arbëri

Havolli: KGJK-ja me urgjencë të shfuqizojë urdhëresën ndaj avokatëve

Osman Havolli, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës në “Express Intervistën” ka thënë se urdhëresa e Këshillit Gjyqësor të Kosovës duhet të tërhiqet, përndryshe bojkoti do të vazhdojë deri në momentin kur ajo hiqet.

Oda e Avokatëve të Kosovës ka hyrë në bojkot të përgjithshëm, për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe policinë në tërë territorin e Kosovës, kjo deri në tërheqjen e urdhëresës dhe rekomandimit nga KGJK, me të cilën avokatëve u pengohet lëvizja, puna në objektet e gjykatave.

Këshilli Gjyqësor me rregulla të reja për qasjen e avokatëve në gjykata

E kjo sipas Havollit ka ardhur si pasojë e një akumulimi të problemeve të vazhdueshme.

“Këshilli i avokatëve ka vendosur të hyjë në bojkot sepse janë cenuar të drejtat e avokatisë. Kjo situatë nuk është e mirë, e nuk i bën nderë institucioneve të Kosovës, por në rrethana të tilla padëgjueshmëria ndaj kërkesave të avokatisë ka ardhur deri të kjo situatë e bojkotit”, ka thënë Havolli.

Havolli: Puna e avokatëve është ngulfatur

Ai ka shtuar se rregullat dhe disiplinat në çdo institucion janë të mirëseardhura.

“Rregullat që janë caktuar kalojnë rregullat, ato cenojnë rregullat e avokatisë. Pasi në një situatë të tillë mund të nxirret edhe me dhunë një avokat nga objekti. Në aspektin tjetër ne nuk kemi të drejtë të flasim për lëndën. Edhe ajo funksionale edhe ajo e vendimmarrjes janë hedhur në shportë”, ka thënë ai.

Sipas tij ky nuk është proces i drejtë dhe bie ndesh me Kushtetutën dhe traktatet ndërkombëtare.

“Qasja në këto institucione duhet të jenë nën kontroll, dhe hyrje-daljet duhet të jenë të kontrolluara. Por, futja në institucion e ka një pjesë edhe të kulturës institucionale. Janë shërbime të tjera përcjellëse që merren me këto gjëra. Takimi im me gjyqtarin është shumë i limituar, dhe këtë e dinë të gjithë avokatët. Por, tani është kufizim shumë i madh edhe brenda Pallatit të Drejtësisë. Me këto rregulla është pamundësuar qasja edhe në zyrën e avokatëve, ne jemi për të pasur rregulla, por jo të jenë ato cenuese”, ka thënë ai.

Ai insiston se Këshilli Gjyqësor duhet të heqë një rregull të tillë.

“Janë cenuar të drejtat bazë dhe themelore të institucionit të avokatisë. Kjo urdhëresë është e papranueshme, dhe nuk është tërhequr brenda 3 ditëve që kemi kërkuar, por duhet të reflektojnë dhe të jenë të vëmendshëm. Me rënien e kësaj urdhërese nënkuptojmë që do të ndërtohen rregulla të reja”, ka thënë Havolli.

Derisa përmes një komunikate për media Oda e Avokatëve të Kosovës bën të ditur se vazhdon me bojkotin e përgjithshëm.

“OAK sot ka pranuar me shqetësim vendimin e KGJK-së, përkundër domosdoshmërisë dhe arsyeshmërisë së shfuqizimit të urdhëresave dhe rekomandimit, KGJK-ja ka vendosur që të mbajë në fuqi këto Urdhëresa dhe Rekomandimin, me çka OAK është e detyruar që bojkoti i përgjithshëm do të vazhdojë, bëhet e ditur përmes një komunikate”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se ky bojkot do të zgjasë deri në tërheqjen e urdhëresave dhe Rekomandimit nga ana e KGJK-së.

“Më qëllim të parandalimit të pasojave për qytetarët dhe imazhin e institucioneve të drejtësisë, Oda e Avokatëve të Kosovës fton KGJK-në që me urgjencë t’i shfuqizojë Urdhëresat dhe Rekomandimin”, thuhet në komunikatë.