Arbëri

Si i njëjtëson Molliqaj Kurtin dhe Thaçin

Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj në një postim në Facebook ka reaguar ashpër ndaj shkrimit të liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti në të cilin ai dje kishte kërkuar që Hashim Thaçi të shkojë vullnetarisht në Gjykatën Speciale të Hagës, transmeton Koha.net.

Molliqaj, në reagim ka përmendur ato që ai i ka quajtur dallime ndërmjet Vetëvendosjes e LDK-së ndaj shumë zhvillimeve në Kosovë, ndërsa ka akuzuar Kurtin se duke kërkuar dërgimin e Thaçit në Speciale, ai ka kërkuar arrestimin e çlirimtarëve.

Duke e akuzuar herë Kurtin e herë Thaçin, Molliqaj thotë se të dy “mendojnë se janë të vetmit që bëjnë historinë” dhe se që të dy kanë dëshirën e njëjtë: Ta marrë pushtetin ose të mbetet në pushtet.

Ky është postimi i Molliqajt:

Rrofte baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mesimi

Ku kemi dalluar asokohe si VV nga LDK dhe një pjesë e shoqërisë civile rreth Gjykatës Speciale është pikërisht kjo: ne thoshim se kriminelët e korruptuar që e kanë kapur shtetin duhet t’i denojnë gjykatat tona për keto vepra; thoshim po ashtu se drejtësia e çlirimi nuk mund të na vijnë nga jashtë, ato janë autentike; një Gjykatë e veçantë vetëm për Kosovën, për më tepër një etnike është e papranueshme në secilin rast. Pavarësisht kush mund te arrestohet. Madje herë pas here thoshim se pushteti i VV-së nuk do t’i dorëzoje çlirimtarët.

Sot kanë ndërruar yjet, tjetër këngë këndohet. Gjykata Speciale, varet…Nese e arreston Hashim Thaçin edhe bën.
Duke i personalizuar marrëdhëniet politike deri në obsesion, Albini është zhytur e ka humbur brenda orbitës së kundërshtarëve, duke përvetësuar mënyrat e tyre. Sikur Hashimi, edhe ky punon me vegla e instrumentalizon çdo gje. Sikur Hashimi, edhe ky është frikacak që nuk ka pranuar të marrë mbi vete asnjë rrezik. Asnjë! Sikur Hashimi, edhe ky zgjohet në mengjes me dy fjalë: unë dhe historia.

Parimi është i tillë vetëm kur është i verbër karshi emrave konkretë. Parimet dhe e verteta nuk kanë karakter primordial. Ato nuk mund të lidhen për kërthizen e askujt, as te Albinit. Ata që e japin UÇK-në në kuadër të luftës së brendshme politike, e duan pushtetin dhe jo Kosoven. E duan veten dhe jo UÇK-në. Prandaj, nuk janë as parimorë e as të vërtetë.

Rrofte baba, poshtë UÇK-ja! Ky ishte mësimi. Secili subjekt është i përkohshëm, edhe Albini shkoi.

Lexoni edhe: Kurti i kërkon Thaçit të shkojë në burgun e Hagës, ia numëron arsyet