Arbëri

Specialja fton edhe një ish-ushtare të UÇK-së

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, që ndryshe njihet si Gjykata Speciale, ka vazhduar me dërgimin e ftesave ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Deri më tani, të konfirmuara janë disa sosh ndaj ish-komandantëve të zonave të ndryshme, si Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti, Remzi Shala, Safet Syla, Sylejman Selimi, etj.

E së voni u bë e ditur se ftesë ka marrë edhe ish-ushtarja e UÇK-së, Raimonda Rreci.

“Me siguri e keni kuptuar në bazë të reagimeve të mija, megjithatë lë të mbetet si njoftim ky shkrim. Që nga fillimi i muajit dhjetor, edhe emri im është i bashkangjitur në listat e të ftuarve në Gjykatën Speciale të Hagës”, ka shkuar ajo në Facebook, raporton Koha.net.

Komentuesit e kanë pyetur nëse është duke bërë shaka me këtë postim, por ajo u ka thënë se gjithçka është e vërtetë, e madje, me ironi, ka thënë se është nder i madh që është e vetmja femër e ftuar nga kjo Gjykatë.

“Deri tash se kam ditur që jam e vetmja femër. Nder i madh”, ka komentuar zonja Rraci.

Ish-ushtarja e UÇK-së ka treguar se ftesa ndaj saj ka ardhur në cilësinë e dëshmitares.

“Me fjalë më thënë se jam ‘dëshmitare’, por s’është asgjë e re kjo. Herën e fundit kur i kanë arrestuar grupin ‘Kleçka’, emri im ka qenë nëpër gazeta edhe atëherë, por atëherë kam qenë duke u marrë me kancer”, ka shkruar ish-ushtarja e UÇK-së, Raimonda Rraci.