Arbëri

Prokuroria në Gjilan vjet trajtoi 212 raste të dhunës në familje, 90 për qind e viktimave femra

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë vitit 2018, thotë se ka trajtuar 212 raste të dhunës në familje.

Kjo prokurori ka njoftuar se nga të gjitha rastet, janë ngritur 186 aktakuza, në 17 raste janë bërë propozime për shqiptimin të masave për trajtim të detyrueshëm, katër propozime për shqiptim të masave edukative dhe janë hedhur dy kallëzime penale dhe për tri raste janë pushuar hetimet.

Në 90 për qind të rasteve të dhunës në familje, sipas njoftimit, viktimat ishin femra.

“Për të gjitha veprat penale, të cilësuara si dhunë në familje, 90% e viktimave kanë qenë femra, të cilat kanë përjetuar dhunë psikike dhe fizike, madje në shumë raste, nga kryerësit janë shkelur edhe urdhërat mbrojtës, me të cilët janë parashikuar masat mbrojtëse ndaj viktimave”, thuhet në njoftim.

“Prioritet i rëndësishëm i Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka qenë dhe mbetet dhuna në familje, ku në këto raste janë ndërmarrë veprime të shpejta dhe efikase, duke ofruar fillimisht mbrojtje emergjente ndaj viktimave, pastaj është vazhduar me procedurat ndaj kryerëse të këtyre veprave penale. Madje, në shumicën e rasteve, me qëllim të zhvillimit të suksesshëm të procedurës penale, ndaj të pandehurve janë paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Në regjionin e Gjilanit, gjatë këtij viti, dhuna në familje, ka rezultuar një problem madhor, pasi që numri i këtyre veprave penale vazhdon të jetë i lartë. Prokuroria Themelore në Gjilan, do të vazhdojë të trajtojë me seriozitet të theksuar dhunën në familje, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta parandaluar këtë fenomen mjaft të përhapur”, thuhet më tej në njoftim.