Arbëri

Zaevi dhe Sela arrijnë marrëveshje për ndryshimet kushtetuese

U deshën më pak se një orë takim mes kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe kryetarit të Aleancës për Shqiptarët (ASH), Ziadin Sela, që të arrihet marrëveshje për mbështetje të ndryshimeve kushtetuese.

Pas takimit, Zaevi njoftoi se është pranuar që në preambulën të hiqet fjala “qytetarët që jetojnë brenda kufijve” dhe të shkruhen të gjitha komunitetet që jetojnë në vend.

Gjithashtu Zaevi njoftoi se është pranuar amendamenti 36-të, për diasporën, me çka do të përfshihen të gjitha komunitet.

“Deri më tani, është pranuar propozim amendamenti i cili falë deputetëve të Aleancës për Shqiptarët, dhe Zijadin Selës, është dhënë në formë amendamenti dhe është sugjeruar në diskusionet që nga Preambula të hiqet pjesa ‘që jetojnë në kufijtë e Maqedonisë’ që të mos lihet përshtypje se shqiptarët, turqit, romët, vllehët, sikur janë përkohësisht këtu. Andaj kjo pjesë është pranuar. Sot e hoqëm edhe këtë pjesën ‘qytetarët’ për shkak se nga aspekti teknik pjesa qytetarët në preambulë është dy herë, dhe kështu krijojmë ndjesi se të gjithë jemi të barabartë si qytetarë para Kushtetutës dhe shtetit. Ashtu siç është qytetarët e Maqedonisë, populli maqedonas dhe qytetarët si një pjesë e popullit shqiptar, turk etj, kjo pjesa ‘qytetarët’ është dy herë. Këtë pjesë e harmonizuam tani dhe para së gjithash flas për barazinë mes qytetarëve dhe për atë se formulimi përfundimtar do të jetë ‘qytetarët e Maqedonisë, populli maqedonas, një pjesë e popullit shqiptar, turk, vlleh etj’. Bëhet fjalë për qasje të kujdesshme kur bëhet fjalë për ndryshim të një pjese të Kushtetutës”, tha Zoran Zaevi, raporton TV21 në Maqedoni.

Lideri i ASH-së , Ziadin Sela, njoftoi se kanë arritur marrëveshje për preambulën, me çka do të fshihen disa fjalë me qëllim që të mos ketë ndjenjë se dikush këtu është i përkohshëm.

“Arritëm marrëveshje dhe konsensus me një çështje shumë të rëndësishme ku jemi krenarë se si ASH me kontributin tonë kemi bërë që të paktën që fjalia e parë e kushtetutës preambula të heq definimin e gjërave dhe në formën e dy kategorive qytetarëve – qytetarë, si dhe qytetarë. Me fjalë të tjera, është edhe kontributi dhe diskutimet që kemi bërë në lidhje me preambulën që të hiqet pjesa që ‘jetojmë’ dhe sot u arrit që të hiqet edhe pjesa si dhe qytetarët në shtet”, tha Sela.

Kryeministri maqedonas tha se ka hedhur poshtë kërkesën e Lëvizjes Besa, që shqipja të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni.

Deri tani, Qeveria ka pranuar amendamentet e tetë deputetëve nga grupi i pavarur parlamentar të VMRO-DPMNE.

Gjithashtu ka pranuar edhe amendamentin i Aleancës për Shqiptarët për përfshirjen e Kosovës në Kushtetutë si dhe një amendament me të cilin definohet se shtetësia maqedonas, qytetar i Maqedonisë së Veriut nuk definon përkatësinë etnike të qytetarëve.

Amendamentet kushtetuese do të konsiderohen të miratuara nëse për to votojnë 80 deputetë, ndërsa për amendamentin e Preambulës së Kushtetutës përveç dy të tretave, i nevojshëm është edhe votimi me Badenter.