Arbëri

AAK: Sondazhi i VV-së tregon krizën e tyre si parti, përpjekje për ta eklipsuar rritjen tonë

Foto: Koha

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas sondazhit të Vetëvendosjes, që e ka nxjerrë Albin Kurtin si liderin që preferohet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës.

AAK-ja përmes një komunikate për media thotë se ky sondazh i Vetëvendosjes tregon shqetësimin dhe krizën e kësaj partie,transmeton Koha.net.

“Publikimi i të ashtuquajturit “sondazh” nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili nuk përmban asnjë element lidhur me metodologjinë e punës dhe nivelin e mostrave nuk tregon asgjë më shumë sesa shqetësimin dhe krizën e tyre si parti”, thotë AAK.

PDK-ja me rënie, AAK e Nisma në rritje – partia e parë LDK-ja por Kurti më i preferuari për kryeministër

AAK-ja shpreh bindjen se kryeministri Ramush Haradinaj ka përkrahjen më të madhe nga qytetarët pas “vendimeve të guximshme”.

“Është shumë e qartë se kryeministri Ramush Haradinaj me vendimet e guximshme dhe të drejta që ka marrë gjatë këtij mandati, jo vetëm që e ka rritur besimin ndaj tij si lider por e ka përkrahjen më të madhe nga qytetarët, dhe atë më shumë se sa secili kryeministër i kaluar. Përndryshe, përderisa të tjerët po merren me sondazhe të porositura, kryeministri dhe kryetari i ynë ia ktheu dinjitetin vendit duke e bërë Kosovën me Ushtri, duke aplikuar taksën ndaj Serbisë dhe tani deri sa të tjerët vazhdojnë të merrem me garën për pushtet e flasim për zgjedhje ne po vazhdojmë suksesshëm rrugën tonë drejt zhvillimit të vendit”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se, “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duke udhëhequr me shtatë komuna asnjëherë nuk ka qenë më e fortë politikisht dhe pa asnjë dyshim është partia politike kryesore në vend ndërsa kryetari ynë është lideri numër një”.

E gjithashtu AAK-ja thotë se ka shënuar rritje edhe më tepër se që tregon sondazhi i Vetëvendosjes.

“Manipulimi sikur AAK ka shënuar rritje në 12.6 për qind është përpjekje për ta eklipsuar rritjen e vazhdueshme të AAK-së e që është shumë më shumë se aq”, thuhet në komunikatë.