Gjashtë anëtarë të familjes së Kasem Qerkezit nga Gjakova, u vranë nga forcat serbe.
Ai ende mban në duar fotografitë e djalit të tij të vrarë e, gjithashtu, edhe të vëllait bashkë me 4 djemtë e vrarë, të cilët i kujton çdo ditë.
Qerkezi iu bashkua thirrjes së familjarëve të të vrarëve dhe të zhdukurve, për ta kundërshtuar ardhjen e serbëve në Kishën Ortodokse të Gjakovës.
Ai iu bashkua protestës që në ora 8:00 të mëngjesit të së dielës.
Të indinjuar me paralajmërimin për ardhjen e atyre që e quajnë veten pelegrinë serbë, u shprehën edhe protestuesit e tjerë.
Protestuesit kanë vendosur në dyert e kësaj kishe banerin me emrat e serbëve që, sipas tyre, kanë kryer krime.
Për mbarëvajtjen e protestës u përkujdes Policia e Kosovës, e cila konfirmoi se serbët nuk do të vijnë në Gjakovë për të kryer ritualet fetare në Kishën Ortodokse.
Ky lajm i dhënë nga polica bëri që protestuesit të shpërndahen të qetë, pas më shumë se tri orë proteste.
-
Nga: Kushtrim Kadriu
-
6 janar 2019 20:05
-
Shpërndaje në: