Arbëri

VV-ja thotë se me anketën e re bashkë me LDK-në marrin 56 ulëse në Kuvend – Kurti kryeministër

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi ka prezantuar në një konferencë për media rezultatet e anketës së realizuar në periudhën 11 - 18 dhjetor 2018 nga UBO Consulting. Sipas kësaj ankete, nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin tani, Vetëvendosja do të merrte 22.6% të votave kurse LDK 27.1%.

“Po të përkthehej në ulëse në parlament, i bie që LV dhe LDK do të merrnin bashkë 56 ulëse, në raport me 44 për subjektet e tjera politike. Kjo është me rëndësi që të shihet se sa është numri i atyre qytetarëve që përmes të deleguarve të tyre në parlament nuk e mbështesin mënyrën se si po udhëhiqet dialogu tani dhe nuk e mbështesin as ekipin negociator. Personat që e përbëjnë këtë ekip kanë më pak se nga 5 përqind”, ka thënë Bislimi.

Bislimi duke thënë se ata nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën u shpreh për ta si unitet rreth korrupsionit apo ‘Grupi i sfidës për kalimin e pragut zgjedhor’.

Ndërkaq, sipas anketës kandidati më i përshtatshëm për Kryeministër është Albin Kurti.

“Në këtë përgjigje është duke prirë në vazhdimësi që prej muajit mars. Rezultatet e anketës janë edhe përgjigja më e mirë për kryetarin e PDK-së Kadri Veselin i cili ka deklaruar se dy partitë më të mëdha po i frikohen zgjedhjeve. PDK-së mund t'i leverdisin zgjedhjet që ta ndalë rënien e saj meqë shënon rezultatin më të dobët që nga viti 2008. Votat që po humbin nga PDK, janë duke shkuar tek AAK-ja dhe NISMA dhe problemet e koalicionit po e shtyjnë Kadri Veselin të bëjnë deklarata të pamatura”, tha tutje.

Këtu mund të lexoni intervistën e kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, dhënë portalit KOHA.net, i cili ndër tjerash, tha se Vetëvendosja, e në mënyrë të veçantë LDK-ja, kanë frikë nga zgjedhjet.

Bislimi, tha se Kadri Veselit mund t'i njihet një kredit kur thotë se LV-së nuk i leverdisin zgjedhjet.

“Në fakt, LV është duke u rritur vazhdimisht dhe është në rrugë shumë të mirë për t'u bërë subjekti i parë politik. Por, LV nuk bën kalkulime për interesa vetanake dhe jemi shumë të interesuar që sa më parë të ndërpritet kjo keqqeverisje dhe të shkojmë në zgjedhje”, tha ai.