Arbëri

Në Maqedoni temperaturat ranë deri në -21 gradë, në Shqipëri deri në -15

Foto: Reuters / ilustrim

Rajoni i Korçës vazhdon të jetë i mbërthyer nga temperatura të ulëta. Gjatë natës së kaluar, temperaturat kanë arritur në -15 gradë.

Situata vazhdon të jetë e njëjtë edhe mëngjesin e sotëm.

Aksi rrugor për në fshatin Dardhë është pjesërisht i kalueshëm me zinxhirë për shkak të prezencës së akullit.

Vazhdon të jetë e bllokuar rruga për në fshatin Lekas, Dardhas dhe Velçan. Aksi për në Leskovik kalohet vetëm me zinxhirë.

Të gjitha akset e tjera janë të kalueshme.

Ndërkaq, në Maqedoni është regjistruar mot shumë i ftohtë me temperatura deri minus 21 në Manastir, në Berovë janë matur -17, -15 në Strumicë, -14 në Prilep dhe Demir Kapi, -12 në Lazaropole dhe Krushevë, -11 në Mavrovë, -10 në Shtip dhe Kriva Pallankë, minus nëntë në Shkup Petrovec, Ohër, Pretor dhe Pozharane, minus tetë në Dibër, minus shtatë në Gjevgjeli dhe Kumanovë, minus gjashtë në Shkup Zajçev Rid deri minus katër në Dojran.

Reshjet gjatë 24 orëve të fundit ka pasur në Strumicë, Demir Kapi, Dojran, Kumanovë dhe Vinicë, ndërsa shtresa e borës më e lartë është në Hanet Mavrovës 65 centimetra. Në Krushevë ka borë rreth 32 centimetra, 27 në Manarit , 25 në Topollçan, 14 Kodrën e Diellit, 13 Demir Kapi, 12 në Strumicë, 10 Berovë, Pozharane, Lazaropole dhe Gjurishte, tetë në Dojran, gjashtë Prilep, tre në Pretor dhe Kriva Pallankë, dy në Shtip dhe një centimetër në Kumanovë.

Mot i ftohtë me temperatura maksimale të ditës nën ose rreth zeros vazhdon edhe në ditët në vijim. Sot dhe nesër paradite do të ketë reshje të dobëta lokale të borës dhe do të fryj erë veriperëndimore kohë pas kohe e përforcuar.

Temperaturat e mëngjesit në periudhën e ardhshme do të jenë shumë të ulëta posaçërisht nëpër male ndërsa më ftohtë pritet të jetë të martën në mëngjes kur temperatura do të ulet për 16 gradë nën zeron, ndërsa pritet në pjesën më të madhe të vendit temperatura të ulet nën -10.

Reshje të mëdha të borës priten të mërkurën.