Arbëri

Mërgimtarët, edhe pse përballen me pritje të gjata në Merdare, nuk preferojnë pikëkalimet tjera

Të lodhur nga pritjet janë mërgimtarët, të cilët po presin me orë të tëra në pikën kufitare në Merdare.

Kolona të gjata me kilometra e pritje deri në 6 orë, për ta kaluar kufirin Kosovë-Serbi, raporton KTV.

Mërgimtarët thonë se, edhe pse u bie të presin gjatë në këtë pikë kufitare, përmes saj e kanë më afër shkuarjen në shtetin që jetojnë.

Pavarësisht që pala e shtetit kosovar ka lëshuar të gjitha sportelet në funksion për t’i shmangur kolonat e gjata në pikën kufitare në Merdare, pala e shtetit serb po punon vetëm me një sportel.”

Kohavisioni ka mësuar që, edhe pse kanë përfunduar punimet e objektit të ri, pala serbe nuk ka pranuar të vendoset në të.

E, në polici kanë vazhduar të kërkojnë nga qytetarët që të shmanget kjo pikë kufitare.

Mbrëmjen e së premtes, mërgimtarëve u është dashur të presin deri në 10 orë në Merdare.

Përveç pikës kufitare në Merdare, edhe te Dheu i Bardhë janë krijuar kolona të gjata, ku pritjet shkojnë deri në 2 orë.