Arbëri

Javën e ardhshme pritet shkarkimi i Rikallos me kërkesë të PSD-së, e më pas votimi i Buxhetit

Institucionet e Kosovës e kanë nisur vitin 2019 me bllokadë buxhetore, pasi me të hyrat që posedojnë nga viti 2018, arrijnë t’i mbulojmë vetëm pagat.

Gjatë muajit dhjetor, Kuvendi i Kosovës arriti ta miratonte vetëm në lexim të parë projektbuxhetin për vitin 2019, raporton KTV.

Pritet që buxheti të futet në rend ditë për votim në lexim të dytë, gjatë javës së tretë të janarit.

Por, pozita nuk i ka votat e mjaftueshme për miratimin e buxhetit, pasi edhe në lexim të parë është varur nga votat e deputetëve të PSD-së.

PSD-ja, në lexim të parë votoi për buxhetin, por e kushtëzuan me uljen e numrit të zëvendësministrave në dy, shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo,krijimin e një komisioni të veçantë për sistemin pensional, e që i njëjti të udhëhiqet nga PSD-ja si dhe kalimin e Ligjit për Paga.

Por, në një përgjigje të dhënë nga Zyra e Kryeministrit është thënë se deri tani, nuk është ndërmarrë ndonjë hap.

Kryeministri Haradinaj, ka thënë se të gjitha kërkesat e PSD-së janë legjitime, do të thotë se kanë legjitimitet dhe se ato do të trajtohen. Para fundvitit ka pasur tema të tjera për të cilat është dashur angazhim. Kurdo që ka lajme të reja në këtë drejtim, sigurisht që do të informoheni me kohë.

Burime të gazetës Koha Ditore, kanë thënë se pas festave, kërkesa e parë që do të futet në rend dite, është shkarkimi i ministrit Rikallo.

Ndërsa, kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë për KTV-në se nuk e di se kur do të shkarkohet ministri Rikallo dhe ka përsëritur se buxheti do të votohet vetëm pas plotësimit të kërkesave.

E në raste të mosvotimit të buxhetit brenda muajit janar, atëherë Kuvendi mund të funksionojë me buxhetin e vitit 2018 edhe në muajin shkurt dhe mars, çdo herë me miratim të kuvendit.

Por kjo sipas Berat Thaqit nga Instituti GAP do të shkaktonte probleme në projektet kapitale.

Qeveria Haradinaj i ka 79 zëvendësministra.

Për vetëm një vit, 79 zëvendësministrat, vetëm për paga, i kushtojnë buxhetit të shtetit më shumë se 1 milion e 90 mijë euro.

Nëse 22 ministra mbajnë vetëm nga dy zëvendës, atëherë numri i tyre do të ulet në 44, 35 më pak.

Në mars të këtij viti, Lista Serbe, me deputetët e saj, ka dalë në opozitë, por ministrat kanë vazhduar t’i ushtrojnë detyrat. Megjithëkëtë, nuk i kanë raportuar Kuvendit e Qeverisë.