Arbëri

Matoshi: Prioritet i MMPH-së do të jetë ndërtimi i impianteve për trajtim të ujërave të zeza

Ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimi i ujëmbledhësve të rinj dhe trajtimi i shtretërve të lumenjve, janë prioritetet që për vitin 2019 i ka Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Madje, për realizimin e këtyre projekteve, por edhe për mbrojtje të mjedisit e përmirësim të cilësisë së ajrit, kjo ministri ka planifikuar që të ndaj mbi 20 milionë euro.

Në një intervistë për KosovaPress, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, bënë të ditur se si ministri do të investojnë në këto fusha, ku ai tha se i kanë edhe prioritete për vitin që kemi hyrë.

“Prioritet do të jetë fillimi i angazhimit, i punëve në ndërtimin e impianteve për trajtim të ujërave të zeza, prioritet i dytë do të jetë bashkëpunimi i vazhdueshëm me Bankën Botërore e cila na është përgjigjur pozitivisht në një kërkesë tonën për ndërtimin e ujëmbledhësve të rinj. Kosova ka nevojë për rezerva të reja ujore dhe ne po mundohemi që këtë ta realizojmë përmes mbështetjes së organizatave ndërkombëtare, në këtë rast përmes Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian që po ashtu ka deklarime për të dhënë një grant në këtë fushë. Prioritete të tjera që kanë të bëjnë prapë me trajtim të shtretërve të lumenjve, projektit të mjedisit që do të jenë mbi 20 milionë euro në investime të drejtpërdrejta të Ministrisë së Mjedisit në këto fusha”, thotë ai.

Matoshi deklaron se viti 2019 do të fillojë projekti më i madh në Kosovë, e që është ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Prishtinës.

E pas kryeqytetit në planin e ministrisë është funksionalizimi i impiantit të ujërave të zeza në Prizren, ndërsa ndërtimi i tyre në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj.

“Mendojmë që viti 2019 të shënoj fillimin e njërit prej projekteve më të mëdha në Republikën e Kosovës që është impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Prishtinës. Jemi duke e përafruar qëndrimet dhe veprimet me të gjithë akterët, Republika e Kosovës ka një kredi nga Qeveria e shtetit francez për ndërtimin e impiantit . Po ashtu, ne si ministri participojmë në këtë projekt dhe kemi ndarë fondet pjesëmarrëse për vitin e parë të punëve në këtë projekt. Presim që ekspertët e përzgjedhur nga Ministria e Mjedisit për krijimin e njësisë implementuese të projektit të trajtimit të ujërave të zeza të vijnë në fillim të vitit këtu”, deklaron Matoshi.

Në vitin që e lamë pas, Ministria e Mjedisit ka bërë disa projekte sa i përket rregullimit të shtretërve të lumenjve. Megjithatë, vetë ministri Matoshi nuk është i kënaqur me punët që janë bërë.

“Kemi pasur projekte që janë dedikuar përmirësimit të mjedisit, përmirësimit të gjendjes së lumenjve. Gjithsesi nuk ka qenë e mjaftueshme dhe nuk jemi të kënaqur me intensitetin e punëve që janë bërë, pasi që të gjitha këto projekte kanë filluar me një vonesë bukur të madhe kalendarike dhe tash jemi në fund të vitit, një pjesë e tyre janë ende të papërfunduara, një pjesë janë projekte dy vjeçare që do të vazhdojnë edhe përgjatë vitit të ardhshëm”, thotë ai.

Viti që e lamë pas është karakterizuar me ajër të ndotur, e për përmirësim të cilësisë së ajrit Ministria e Mjedisit ka ndërmarrë disa hapa.

Fillimisht MMPH ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të ndalojë përdorimin e thëngjillit si lëndë djegëse nëpër shkolla, të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe për Qeverinë e Kosovës që të ndalojë përdorimin e thëngjillit nëpër institucionet publike.

Madje kanë marrë vendim për ndalimin e shitjes së thëngjillit, ku ka ndërmarrë disa aksione për konfiskimin e thëngjillit që është shitur nëpër rrugë. Po ashtu, kanë kërkuar edhe nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që KEK-u të ndalojë dhënien e thëngjillit si dhuratë për punëtorët.

“Ajri nuk është një punë që pastrohet për një vit, është një proces që kërkon një përkushtim të pandërprerë të shoqërisë dhe të institucioneve. Unë dëshiroj që kjo të mbetet gjithmonë temë diskutimi, që të jetë në krye të agjendës së organizatave ose institucioneve që merren me këtë punë. Do të angazhohemi që derisa të mos ndodh zbatimi i udhëzimit administrativ për kontrollin teknik të automjeteve mos të lejojmë dhe ta kundërshtojmë importimin e veturave më të vjetra se 10 vite dhe veprime të tjera të cilat i parasheh edhe ligji”, deklaron Matoshi për KosovaPress.

Për përmirësim të cilësisë së ajrit Matoshi thotë se duhet të bëhet edhe shtimi i hapësirave gjelbëruese sidomos në kryeqytet.

Ndërkaq, sa i përket mbeturinave në vitin 2018 Ministria ka krijuar një task forcë për pastrimin e Kosovës. Nga ky aksion janë larguar më shumë se 700 deponi ilegale në të gjithë Kosovën.

Ai bënë të ditur se buxheti që mblidhet nga gjobat për ata që ndotin ambinetin shkon për komunat, e të cilat pastaj destinohen për projekte mjedisore.

Megjithatë, gjatë këtij projekti ministri Matoshi u shpreh se ka pasur raste ku në disa deponi që janë pastruar ka ekzistuar tendenca që të shndërrohen përsëri në deponi.

Ai bëri të ditur se kanë kërkuar nga kryetarët e komunave që të shtojnë aktivitetet e inspektorëve komunal nëpër ato vende ku qytetarët hedhin mbeturinat e tyre. Matoshi nuk e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së kamerave nëpër disa pozicione që janë më të ndjeshme dhe në të cilat vazhdimisht njerëzit shkojnë dhe i hedhin mbeturinat e tyre.

Ministri i Mjedisit ka deklaruar se nuk do të lejojnë krijim të deponive ilegale në të ardhmen, do të fokusohen në përmirësimin e infrastrukturës së deponive legale, dhe se kanë kërkuar prej komunave që nuk kanë deponi legale të materialit ndërtimor që t’i përcaktojnë ato, në mënyrë që të dihet saktë brenda territorit të një komune se ku është deponia.