Arbëri

Veseli: Vetëvendosja, e në mënyrë të veçantë LDK-ja, kanë frikë nga zgjedhjet

Foto: Koha

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se formimi i Ekipit Shtetëror i cili do të shkojë në Bruksel më 8 janar, është nismë e mirë dhe se përgjegjësia shtetërore në procesin e vendimmarrjes në fazën finale të dialogut me Serbinë, është duke u jetësuar.

E ka mirëpritur përfshirjen e PSD-së në këtë Ekip, ndërsa, shpreson që të ketë reflektim edhe nga LDK-ja e VV-ja.

“Po besoj se një reflektim i tillë nga një pjesë e opozitës është lajm i mirë. Shpresoj të kemi reflektim edhe nga dy partitë tjera opozitare, LDK dhe VV, që ta ndjekin shembullin e përgjegjësisë shtetërore”, tha ai.

Sipas tij, nga ky proces, Kosova pret njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB.

Veseli, që është edhe kryetar i PDK-së, në “Intervistën e Javës” në Koha.net, ka folur edhe për idenë e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, ide kjo e cila kohët e fundit, nuk është përmendur nga kreu i shtetit.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën e 17 shkurtit 2008. Ne do të marrim obligimet tona shtetërore ndaj të gjitha komuniteteve dhe rrugëtimi ynë është shumë i qartë, me SHBA-të në partneritet të ngushtë dhe miqësi të përjetshme, me Bashkimin Evropian si shtëpi tonën”, ka thënë Veseli.

Ai tha se me t’u formuar Ekipi Negociator, ku bashkëkryesues janë Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, raportet me Thaçin janë shumë korrekte dhe institucionale.

“Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës, me legjitimitet dhe autoritet të plotë. Është njeri me bagazh historik, por edhe të perspektivës. Në dialog, ai do ta luajë rolin e vet që ia jep Kushtetuta”, tha tutje Veseli.

Veseli ka folur edhe për kërkesën e partive opozitare për të shkuar në zgjedhje. Por, ka thënë se ato kanë frikë nga zgjedhjet.

“Vetëvendosje, e në mënyrë të veçantë LDK, nuk po bëjnë gjë tjetër pos aspektit deklarativ. Realisht, kanë frikë nga zgjedhjet”, tha ai.

Kryekuvendari, në këtë intervistë flet edhe për aktivizimin e Gjykatës Speciale, kohën kur gjatë luftës ishte ‘Luli’ e më pas u bë shef i SHIK-ut, se bashkëpunëtor e kishte “Gjarprin”, formimin e Ushtrisë së Kosovës, raportet me NATO-n, koalicionin PAN e shumë çështje tjera.

LDK dhe VV ta ndjekin shembullin e përgjegjësisë shtetërore, thotë Veseli

Koha.net: Z. Veseli, u votua në Kuvend Rezoluta për Dialogun, ndërsa në Ekipin Negociator do të ketë individë nga pozita e opozita. Nuk u mirëprit nga dy partitë tjera opozitare, LDK-ja e VV-ja? Çka mund të pritet tash?

Veseli: Është lajm i mirë. Është nismë e mirë. Përgjegjësia shtetërore në procesin e vendimmarrjes në fazën finale të dialogut me Serbinë është duke u jetësuar. Kosova pret nga ky proces njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB, ndërsa shkon me qëndrime shumë të qarta - sovranitet dhe integritet territorial të pacenuar, me vlera edhe më të pasura të avancimit të të drejtave të komuniteteve, por asnjëherë që janë kundër-kushtetuese, pra jo Asociacion me kompetenca ekzekutive. Po besoj se një reflektim i tillë nga një pjesë e opozitës është lajm i mirë. Shpresoj të kemi reflektim edhe nga dy partitë tjera opozitare, LDK dhe VV, që ta ndjekin shembullin e përgjegjësisë shtetërore.

Veseli: Serbia duhet ta njohë Kosovën e 17 shkurtit 2008

Koha.net: Bisedimet me Serbinë kanë ngecur, ndërsa është kushtëzuar që nëse Kosova do që të vazhdohet dialogu, të hiqet taksa e vënë ndaj mallrave serbe. Si mendoni që do të rrjedhë tani çështja e dialogut?

Veseli: Dialogu është proces i finalizimit të një epoke të re, që do të jetë fqinjësia e mirë, ku Serbia dhe Kosova në mënyrë reciproke njohin njëra-tjetrën. Sa i përket tarifës 100%, Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Çdo veprim yni nuk është veprim i njëanshëm, por është masë reciprociteti e veprimit që bën Serbia. Serbia duhet ta pranojë se me fqinjin e vet në pjesën jugore duhet të sillet në mënyrë të dinjitetshme. Në të kundërtën, çdo veprim i tyre cenues do ta ketë reagimin tonë të dinjitetshëm dhe do ta bëjmë Serbinë ta kuptojë dhe ta ndjejë shtetin e Kosovës çdo ditë.

Koha.net: Flasim pak për idenë e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh. Keni qenë kritik ndaj kësaj ideje dhe nga draft-dokumenti i propozuar nga Qeveria, mosndryshimi i kufijve është parakusht për bisedime me Serbinë. Tani, prisni që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës me territorin që kemi?

Veseli: As që bëhet fjalë ndryshe, Serbia duhet ta njohë Kosovën e 17 shkurtit 2008. Ne do të marrim obligimet tona shtetërore ndaj të gjitha komuniteteve dhe rrugëtimi ynë është shumë i qartë, me SHBA-të në partneritet të ngushtë dhe miqësi të përjetshme, me Bashkimin Evropian si shtëpi tonën. Do ta vazhdojmë rrugëtimin e zhvillimit dhe transformimit ekonomik, që e bën qytetarin e Kosovës të ndihet më i kënaqur dhe të jetojë në vendin e vet, e jo të largohet për shkaqe ekonomike.

Koha.net: Si janë raportet me presidentin Thaçi pas formimit të Ekipit Negociator për Dialog? Në njëfarë mënyre, a është zbehur roli i tij në këtë proces? Keni hasur në ndonjë reagim të Thaçit?

Veseli: Janë raporte shumë korrekte, institucionale. Hashim Thaçi është President i Republikës së Kosovës, me legjitimitet dhe autoritet të plotë. Është njeri me bagazh historik, por edhe të perspektivës. Në dialog, ai do ta luajë rolin e vet që ia jep Kushtetuta.

Koha.net: Z.Veseli, u votua në Kuvend edhe për transformimin e FSK-së në Ushtri, megjithëse u kundërshtua fuqishëm nga shefi i NATO-s, z. Stoltenberg. Ndërsa në KS të OKB-së, 8 shtete të BE-së, plus SHBA-ja, i dhanë përkrahje këtij procesi. A mendoni që ka luhatur kjo raportet me NATO-n?

Veseli: Jo, përkundrazi. Do t’i forcojë raportet me NATO-n. Ne u jemi shumë falënderues shteteve që na kanë përkrahur, shteteve anëtare të NATO-s, në krye me SHBA-të. Ndërsa, dëshirojmë dhe presim shumë shpejt edhe reflektimin e vendeve tjera të NATO-s, që kanë pasur shqetësime nga manipulimet e Serbisë, ta kuptojnë faktin se Kosova ka vetëm qëndrim perëndimor, se Kosova dëshiron fqinjësi të mirë, se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, se Kosova ka ushtri që është ushtri e partneritetit dhe fqinjësisë së mirë, se Kosova do të jetë anëtare e NATO-s.

Secili t’i përgjigjet thirrjes së Speciales, thotë Veseli

Koha.net: Është aktivizuar Gjykata Speciale. Ju, në fillim të këtij viti keni mbrojtur Specialen dhe keni thënë se është veprim i pashmangshëm. Tani vetëm ka nisur dërgimi i ftesave për të shkuar në Hagë. Si e komentoni këtë dhe si e parashihni të rrjedhë ky proces?

Veseli: Historia e UÇK-së është histori e lëvizjes çlirimtare, është histori e shenjtë e një populli të robëruar që reagoi për ta mbrojtur veten, është një histori e krenarisë. Gjykata Speciale ishte një vendim që iu imponua institucioneve të Kosovës dhe ne ishim të gatshëm të sakrifikojmë çdo gjë për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Secili duhet t’i përgjigjet thirrjes së saj dhe me krenari ta paraqesë të vërtetën e luftës sonë heroike, të pastër e të drejtë, e të përgënjeshtrohen pretendimet e rrejshme që tentohet t’i vishen përpjekjeve tona për liri.

Koha.net: Flasim pak për raportet me deputetët e larguar nga Vetëvendosja, ata të PSD-së. Kur ishin në partinë e parë, keni pasur shumë përplasje e akuza me ta. Tani duket qartë se i keni normalizuar marrëdhëniet me ta. Çka po ndodh?

Veseli: Ne duhet të jemi të përgjegjshëm për momentin në të cilin po kalojmë si vend. Kjo është ajo që duhet ta kemi parasysh të gjithë, pozitë e opozitë.

Koha.net: Spekulohet se ata, pra deputetët e PSD-së, tashmë janë pjesë e koalicionit qeverisës?

Veseli: Janë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe është lajm i mirë për vendin që i janë bashkuar procesit të Dialogut.

Koha.net: Ju keni propozuar për kryeministër të Kosovës Ramush Haradinajn. A mendoni se ai po e kryen detyrën ashtu siç keni pritur?

Veseli: Unë besoj se Kryeministri Haradinaj është duke bërë përpjekjet maksimale që t’ua lehtësojë jetën qytetarëve tanë. Ka pritshmëri të mëdha nga qytetarët e vendit tonë. Por, edhe përpjekja jonë si koalicion është shumë e madhe që këto pritshmëri të qytetarëve t’ia dalim që t’i realizojmë, në shpresë për të ardhmen në jetën e tyre në Kosovë.

Koha.net: Po koalicioni PAN, në përgjithësi, si po “mbahet”?

Veseli: Ka një korrektësi, një fuqizim të këtij partneriteti, i cili çdo herë në bazë të veprimit të vet e ka interesin e qytetarëve dhe shtetësinë.

Veseli: Vetëvendosje, e në mënyrë të veçantë LDK-ja, kanë frikë nga zgjedhjet

Koha.net: Së fundmi, opozita, LDK dhe Vetëvendosje, po kërkojnë shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme. Sa janë gjasat për një vendim të tillë? A është PDK-ja e gatshme të shkojë në zgjedhje?

Veseli: Vetëvendosje, e në mënyrë të veçantë LDK, nuk po bëjnë gjë tjetër pos aspektit deklarativ. Realisht, kanë frikë nga zgjedhjet.

Koha.net: Të ndërrojmë pak temë. Gjatë luftës keni qenë ‘Luli’. Nga lufta jeni bërë shef i SHIK-ut. Sa shkojnë bashkë fotografia dha puna e agjentit?

Veseli: Çdo kund është një njeri, i cili, në rrethana adekuate, në mënyrë të dinjitetshme, i shërben atdheut të vet, qytetarëve, kombit të cilit i takon.

Koha.net: Mbaheni në mend t’i keni thënë Vetëvendosjes në Kuvend se “do t’iu ngopi me SHIK”. Madje, janë dëgjuar zëra se SHIK-u, organizatë që më s’ekziston, e ka përçarë Vetëvendosjen. Çka mund të na thoni për këtë?

Veseli: Një pjesë e politikës sonë mbijetesën e vet e sheh përmes spekulimit. Unë jam shumë i kujdesshëm. Për asnjë pjesë të jetës sime nuk kam pse të skuqem. Në çdo veprimtari timen do të gjeni vetëm shërbim ndaj vendit. Angazhimi im edhe në kuadër të SHIK-ut, mua do të më nxjerr krenar, ndërsa ata që spekulojnë mund t’i skuqë. Është dëshirë imja madje, që në momente adekuate, të flasim edhe për këtë çështje.

Koha.net: Bashkëpunëtor e keni pasur “Gjarprin”. Ku dhe a dallon tani “Gjarpri” me “Lulin”?

Veseli: Hashim Thaçin e kam pasur bashkëveprimtar në lëvizjen studentore, bashkëluftëtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe kemi punuar ngushtësisht edhe në të gjitha proceset e pasluftës – të cilat kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ndihem krenar për sukseset që kemi arritur bashkërisht, të gjitha në shërbim të kombit që i takojmë. Kur kemi filluar aktivitetin, Kosova ka qenë e robëruar, nën sundim të thellë të Serbisë. Tani, falë aktivitetit të shumë atdhetarëve dhe bashkëluftëtarëve e bashkëveprimtarëve të rezistencave paqësore e luftarake, sot Kosova është e lirë, është shtet i pavarur dhe sovran dhe flet për perspektivë të integrimit në NATO, BE dhe OKB.