Arbëri

Zvarritjet në prokurim lënë spitalet 10 muaj pa dy lloje barnash

Foto: Koha

Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur të nënshkruajë kontrata për dy produkte qe gati 10 muaj. Ani pse ky institucion pati hapur tender për furnizim me barna të Listës Esenciale që nga marsi i vitit 2018 për dy lote (pjesë) procedura është duke vazhduar. Kjo pasi që prej marsit të vitit të kaluar e deri tash nuk ka marr fund beteja e një operatori ekonomik me Ministrinë e Shëndetësisë. Ky operator pretendon se padrejtësisht Ministria e ka eliminuar nga blerja e dy barnave, shkruan sot Koha Ditore.

Ministria e Shëndetësisë krejt këtë zvarritje e arsyeton me mosaplikimin e TVSH-së në ofertë nga kjo kompani. Megjithatë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) i ka dalë krah operatorit ekonomik dhe procesi do të kthehet sërish nga fillimi.

Organi Shqyrtues i Prokurimit në Kosovë ka vendosur precedent me një vendim të vetin në lidhje me ankesën e një operatori ekonomik, i cili ka marrë pjesë në tenderin e blerjes së barnave të Listës Esenciale nga ana Ministrisë së Shëndetësisë. Ndonëse kompania “Liri Med” ka ofertuar me çmim, ku nuk e ka llogaritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSh), OSHP-ja një gjë të tillë e konsideron të ligjshme.

Argumentet e Ministrisë së Shëndetësisë për eliminimin e kësaj kompanie i ka hedhur poshtë OSHP-ja, e cila e ka cilësuar si të ngutshëm vendimin e MSH-së.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)