Arbëri

Kushtet e LDK-së për përfshirje në dialog, sipas Hazirit

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës parashtron kritere dhe kushte të veçanta sipas së cilave, ajo do të mund të përfshihej eventualisht në kuadër të procesit të negociatave me Serbinë. Para së gjithash, LDK-ja, sipas zyrtarëve të saj, kërkon që Ekipi Negociues të ketë një legjitimitet të plotë institucional e kushtetues në Kosovë dhe së dyti, që negociatat t’u përmbahen parimeve të vendeve të Quint-it, duke preferuar që aty garantuese të procesit të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarët e Ekipit Negociator të Kosovës pritet që më 8 janar të kenë një takim në Bruksel me zyrtarët e Bashkimit Evropian për t’i informuar ata me ecurinë e përgatitjeve në Kosovë për procesin e dialogut me Serbinë.

Pjesë e këtij ekipi nuk pritet të jenë përfaqësuesit nga dy partitë opozitare, përkatësisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë, se LDK-ja pavarësisht kërkesave të ndryshme që të jetë pjesë e dialogut, nuk ka ndryshuar mendje.

"Qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar asgjë nga takimi i fundit që ne kemi pasur me Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së. Pra, LDK-ja e ka ofruar platformën e saj për parimet e dialogut dhe mënyrën se si e sheh të kornizuar një dialog në vija të njëjta me parimet negociuese që grupi i Quint-it i ka miratuar në verën e vitit 2018. Dhe, ne legjitimitetin politik nuk mund t'ia japim [Qeverisë dhe Ekipit Negociator] sepse ai nuk falet, legjitimiteti politik ose fitohet me zgjedhje ose me marrëveshje politike", theksoi Haziri.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radio Evropa e Lirë