Arbëri

2018: Kosova e ndotur

Foto: Alban Bujari / KD

Prishtina konsiderohet ndër vendet me ajrin më të pashëndetshëm në botë. Dhe, ky konstatim vjen nga monitorues të Ambasadës amerikane në kryeqytet për cilësinë e ajrit. Madje, Ambasada amerikane ishte e para që reagoi në lidhje me nivelin e ndotjes së ajrit në vend, e tek atëherë niveli i ndotjes së ajrit filloi të trajtohet si problem ndër institucione. Mirëpo, deri më sot, pos disa udhëzimesh administrative, nuk është bërë asgjë konkrete për përmirësimin e kësaj gjendjeje.

Ndër ndotësit kryesorë të ajrit, deri më tani, janë identifikuar termocentralet, përdorimi i qymyrit për ngrohje nga amvisëritë si dhe automjetet e vjetra.

Që s’është bërë ende asgjë konkrete, e pranon edhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi.

Ai thotë që janë marrë disa masa për përmirësimin e kësaj gjendjeje, por që nuk mjaftojnë.

Ky nivel i ndotjes po vazhdon të jetë nën masën e lejuar dhe përbën rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.

Madje, nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë rekomanduar qytetarët, sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes si dhe fëmijët, që të bartin maska gjatë orëve të mbrëmjes.

Sipas këtij Instituti, në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, është duke u rritur numri i fëmijëve me probleme në frymëmarrje

Njohës të çështjeve mjedisore në vend thonë se mjedisi, në përgjithësi, është njëri ndër problemet më kryesore dhe më të ndjeshme në vend, por që nuk po trajtohet.

Behxhet Mustafa, si zgjidhje për përmirësimin e ajrit në vend e sheh mbylljen e dy termocentraleve, atë A dhe B, dhe ndërtimin e një të riu, sipas standardeve evropiane.

Në të kundërtën, sipas tij, nëse Qeveria nuk ndërmerr hapa konkretë, kjo gjendje do të përkeqësohet.

Ai thotë që nëse Qeveria e ndalon qymyrin, atëherë ata duhet fillimisht t’u sigurojnë qytetarëve një alternativë tjetër.

Mirëpo, Kosova nuk e ka të ndotur vetëm ajrin. I gjithë ambienti, në përgjithësi, në vend është i ndotur.

Përkundër faktit që gjatë fushatës tremujore “Ta pastrojmë Kosovën”, janë eliminuar rreth 800 deponi ilegale, ende shumë vende e rrugë vazhdojnë të jenë plot bërllok.

Luan Hasanaj nga organizata “Lets do it Kosova”, ka thënë që janë të vetëdijshëm se kjo mënyrë e pastrimit të mbeturinave nuk është më e duhura, por thotë se me këtë aksion ata kanë filluar t’i vetëdijësojnë qytetarët për rëndësinë e ambientit.

Por, thotë që ka ende shumë punë në pastrimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve.

As lumenjtë e vendit nuk janë trajtuar asnjëherë me prioritet tërë këto vite.

Pothuajse të gjithë lumenjtë e vendit janë të mbushur me mbeturina, të cilat hidhen nga vetë banorët që jetojnë afër tyre. Në lumenj derdhen edhe ujërat e zeza. Ministria e Mjedisit ka premtuar 19 milionë euro investime.

Lumenjtë, kryesisht në rajonin e Dukagjinit dhe të Dardanës, në vazhdimësi shkatërrohen nga operatorët ilegalë, të cilët në mënyrë ilegale eksploatojnë zhavorr.

Një tjetër problem i cili ka ndikuar në shkatërrimin e lumenjve, është edhe ndërtimi i hidrocentraleve, konsiderojnë banorët që jetojnë përreth si dhe shoqëria civile.