Arbëri

Thaçi u bën thirrje deputetëve që ta votojnë demarkacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të lënë anash interesat personale dhe partiake për ta votuar demarkacionin me Malin e Zi.

Thaçi ka përmendur takimet me zyrtarët e lartë të Perëndimit, të cilët, sipas tij, ia kanë konfirmuar se demarkacioni me Malin e Zi e ka mbajtur peng vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Është bërë krejtësisht e qartë nga shumë komisione të pavarura, kosovare e ndërkombëtare se demarkacioni me Malin e Zi është i drejtë dhe se territori i Kosovës nuk cenohet për asnjë metër si rezultat i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje. Prandaj, është për keqardhje fakti që spektri politik kosovar nuk po bashkohet në çështjet që janë me interes për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

“E ftoj të gjithë spektrin politik që, pa dallim përkatësie politike apo etnike, të bashkohen për të ardhmen evropiane të Kosovës”, ka shkruar ai.

Thaçi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta procedojë në Kuvend projektligjin për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

“Ndërkaq, deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet vënë interesin shtetëror përpara atij personal apo partiak, dhe me votën e tyre pro kësaj marrëveshjeje, t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë tani dhe ky është interes nacional dhe shtetëror”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë se përgjegjësia për votimin e demarkacionit bie mbi koalicionin qeverisës dhe partitë opozitare, të cilat, sipas Thaçit, të gjitha veprimet e tyre i kanë përqendruar në përpjekjet për të bllokuar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

“Sërish e ftoj spektrin politik për unitet në këtë çështje të interesit thelbësor për qytetarët e vendit, si dhe ritheksoj faktin se kur bëhet fjalë për vendime të interesit shtetëror, koalicioni qeverisës duhet të tregojë se ka forcën politike, vizionin dhe lidershipin që të marrë vendimet e drejta e të domosdoshme”, ka thënë Thaçi.