Arbëri

Rama shpërndan çeqet e para me rritje për fëmijët që erdhën në jetë këtë vit

Foto: Ilustrim

Një fëmijë i sapolindur në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, kishte sot pranë shtratit dhe nënës së tij, një çek me 120 mijë lekë (rreth njëmijë euro), të cilat ia dorëzoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Këtë mëngjes Rama ka shkuar në maternitetin e dytë të Tiranës që ndodhet tek “Brryli” dhe atje i ka uruar mirëseardhjen në jetë bebeve që erdhën në natën e ndërrimit të viteve, duke i dhuruar edhe çekun.

“I pari i këtij viti është Aleksi, vëllai i dy motrave që si fëmijë i tretë, ai do të hyjë në shtëpi me 120 mijë lek të reja me vete”, thotë kryeministri duke komentuar vizitën e tij në këtë maternitet, shkruan ksp.

“Pas tij ka ardhur një vajzë, fëmijë i dytë, që do të hyjë në shtëpi me 80 mijë lek të reja, e më pas, përsëri një vajzë, e cila si fëmijë i parë, do t’u çojë prindërve në shtëpi 40 mijë lekë të reja”, – shton ai.

Para pak muajsh, qeveria shpalli vendimin për tetëfishimin e shifrës së deridjeshme, 5 mijë lekë, që jepej për çdo bebe të lindur.

Me vendimin e ri, fëmija i parë i një çifti merr 40 mijë lekë (rreth 320 euro), i dyti, 80 mijë (rreth 640 euro) dhe i treti e më tej, 120 mijë lekë (rreth 1000 euro).

Kjo është një politikë nxitëse për të përmirësuar balancat e prishura me ikjen e shumë të rinjve nga vendi.