Arbëri

Haradinaj: Kriminelët nuk do ta marrin ligjin në dorë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ka vizituar sot Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, për të shprehur ngushëllime për humbjen e kolegut të tyre, pjesëtarit të Policisë, Izet Demaj, i cili humbi jetën në mbrojtje të qytetarëve dhe rendit, të enjten pas një plaçkitjeje në Istog tha se "Nuk do të lejojmë që kriminelët të vendosin ligjin në Kosovë"..

Ai tha se dje ka qenë një ditë e ndjeshme dhe e dhimbshme për të gjithë Kosovën, që i ka prekur të gjithë qytetarët.

“Ajo që ka ndodhur dje nuk është e para. Kemi parë raste kur në mesditë me armë të gjata, me sëpata, në qendra të banuara, ka pasur sulme në pronë, e plaçkitje. Dje, epilogu i një ngjarjeje të ngjashme si këto që i kemi parë më herët, është një polic i vrarë në detyrë, një familjar, dhe një sulmues i involvuar në plaçkitje. Polici ka qëlluar në mbrojtje të jetës së vetë dhe rendit, për të cilën edhe e ka paguar me jetë”, tha kryeministri Haradinaj, duke thënë se sot ka shkuar aty për të shprehur ngushëllime, por edhe për t’iu dhënë përkrahje Policisë.

Haradinaj e ka falënderuar drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj për mënyrën se si dje e ka menaxhuar gjendjen dhe tha se nuk kanë zgjidhje tjetër përveç që të mos lejojnë që kriminelët të vendosin ligjin në Kosovë.

“Policia do ta marrë përkrahjen në tërësi, çkado që i nevojitet që të mos lejohet që kriminelët ta marrin ligjin në dorë. Institucionet e Kosovës do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që ta përkrahin Policinë e Kosovës në përgjithësi. Kur kemi folur për rritjen e pagave për policinë, sigurimet shëndetësore, jetësore e pensionale, jemi kritikuar në raste të caktuara, por mos harroni pa rend dhe ligj nuk ka logjikë”, tha kryeministri Haradinaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, e falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën e sotme, duke shtuar se kjo është një mbështetje e madhe për policinë.

Ai tha se është krenar që Policia e Kosovës ka arritur t’i shpëtojë qytetarët dhe të intervenojë me kohë.