Arbëri

“Sylejman Selimi nuk është ftuar nga Specialja”

Avokati Tomë Gashi ka reaguar lidhur me shpërndarjen e informatës se Sylejman Selimi është i ftuari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

“Në cilësinë e avokatit të Gjeneral Sylejman Selimit, ju njoftoj se ne nuk kemi pranuar një ftesë të tillë. Rrjedhimisht, nuk e dimë se nga kush e kanë ''siguruar'' mediat këtë ftesë për në Hagë, ka thënë avokati Gashi.

Ish-Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, aktualisht ndodhet në burg. Me aktgjykimin fillestar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Selimi ishte dënuar me burgim prej 14 vjetësh.

Më pas, Gjykata e Apelit e kishte ulur dënimin nga 14 në 10 vjet burgim. Pas kësaj, kishte edhe një aktgjykim tjetër ku u bë bashkimi i dënimeve për rastet Drenica 1 dhe 2 dhe Selimi u dënua me 7 vjet burgim.

Avokati Tomë Gashi i ka thënë KTV-së se Selimi tashmë ka vuajtur 5 vjet burgim, derisa edhe aktgjykimi i fundit është prishur dhe që nga 11 qershori i këtij viti ai po mbahet në mënyrë të kundërligjshme në burg.