Arbëri

Shala: MTI do të jetë avokati i bizneseve

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Endrit Shala, ka siguruar qytetarët e Kosovës, se ministria që ai drejton do të jetë e përkushtuar në rritje të prodhimit vendor.

Gjatë vizitës në kompaninë M-Technologie, që është njëri nga eksportuesit më të mëdhenj të Kosovës, ministri Shala po ashtu ka ndarë mirënjohje për këtë kompani për shkak të ndikimit të rritjen e punësimit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Sot me kënaqësinë më të madhe kam vizituar një prodhues të vendit tonë, një kompani e cila punon me standarde evropiane, një kompani e mirënjohur, një prodhues i vendit tonë i cili përmbi 75% të produkteve të cilat i prodhon i ka për eksport. Unë si ministër i Tregtisë dhe Industrisë, kompanisë në fjalë, pronarit, në emër të Ministrisë i ndava mirënjohje për kontributin që kompania në fjalë është duke bërë për zhvillimin e vendit tonë, për rritjen e punësimit, e njëkohësisht edhe rritjen e eksportit”, theksoi ministri Shala.

Ai ka siguruar se MTI do të jetë avokati i bizneseve të Kosovës e me këtë rast avokati kryesor edhe i prodhimit të vendit tonë.

Ndërsa drejtori i kompanisë M-Technologie, Rrustem Pacolli ka falënderuar ministrinë Shala për vizitën dhe përkrahjen, duke besuar në mbështetjen e MTI-së në kërkesat e tyre që i kanë.